E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufomat të viteve 70-80, shumica të seksit mashkull

Ministria e Brendshme
Arkiva mund të hapet pas analizës nga Mjekësia Ligjore

Ministria e Brendshme ka diskutuar dje hapjen e arkivit, por pa u verifikuar periudha e vrasjes së personave, që u janë gjetur eshtrat nuk mund të kryhet asnjë veprim. Kështu është deklaruar nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që ka reaguar edhe policia, e cila ka vënë në dijeni se nga kërkimet e djeshme është gjetur edhe një kafkë tjetër njeriu. Ndërsa nga Mjekësia Ligjore kanë ardhur të dhënat e para, pas një këqyrje paraprake. Sipas të dhënave, kufomat, të cilat janë dërguar me qese të zeza plastike, mendohet se i përkasin periudhës kohore të viteve ‘70-80. Gjithashtu, shumica e tyre janë të seksit mashkull dhe dyshohet se janë të moshave 20-40 vjeç. Veç këtyre të dhënave, ekspertët deklarojnë se duhet bërë ekzaminimet përkatëse për të dhënat e tjera identifikuese. Sipas të dhënave nga policia, sqarohet se eshtrat janë gjetur nga familjarë, në një luginë në fshatin Qerret Komuna Dajt, në afërsi të vendstrehimit për kohë lufte të ish-Komitetit Ekzekutiv Tiranë. “Në këqyrjen e vendit të gjetjes së këtyre eshtrave, përveç eshtrave të gjetura nga familjarët, sot (dje), më datë 08 shkurt 2010, u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila u dërgua për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, deklaroi Policia e Tiranës. Më tej u shpjegua se pjesëtarë të familjeve të viktimave të ish-regjimit komunist janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit, të cilët kanë bërë kërkime për gjetjen e të afërmve të tyre të pushkatuar. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore vazhdon puna për këqyrjen e të gjithave eshtrave dhe mbetjen kockore, të cilat ndodhen në morgun e Tiranës. Gjithashtu po vazhdon puna për kryerjen e të gjitha ekzaminimeve kriminalistike, mjekoligjore për identifikimin e tyre. Nga deklarimet paraprake bëhet fjalë për skeletet e 19 personave të ekzekutuar në periudha të ndryshme në kohën e regjimit komunist. Eshtrat janë gjetur në varre të shpërndara në një sipërfaqe mbi 70 metra katrorë. Mënyra e vendosjes së varreve vërteton në mënyrë hipotetike se, periudha e ekzekutimeve ka qenë e shtrirë në kohë, pasi nuk ka një varr të përbashkët, por varre të ndara me një apo dy skelete njerëzish, në afërsi prej katër apo pesë metrash me njëri-tjetrin. Eshtrat nuk janë nxjerrë nga varret prej ekspertëve dhe në mënyrë profesionale, por janë futur në thasë nga personi që i ka zbuluar dhe më pas iu dërguan Mjekësisë Ligjore. Kjo e fundit tha se për ekzaminimin e eshtrave pritet një vendim i Prokurorisë së Tiranës, që mendohet të vijë gjatë ditës së sotme. Në këto kushte, pas ekzaminimeve përkatëse dhe gjetja përafërsisht e viteve kur ata janë ekzekutuar, do të kërkohet në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Nga të dhënat mësohet se arkivi mund të hapet pas kërkesave ekzakte, pavarësisht se ditën e djeshme, ministri i Brendshëm mësohet të ketë kontaktuar me drejtuesit e hetimit dhe u ka deklaruar se do të kenë të gjitha hapësirat e nevojshme për ta zbardhur këtë ngjarje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›