Si mund të gjenden vendvarrimet e të ekzekutuarve të komunizmit
Intervista
Skënder Haluca, komisioner i Avokatit të Popullit: Përpjekjet tona për ligjin që hap arkivat shtetërore
Në Prokurorinë e Përgjithshme, në gjykatat e të gjitha niveleve e atë Kushtetuese dhe deri tek Avokati i Popullit punojnë si gjyqtarë, prokurorë, si edhe zyrtarë të lartë, persona që kanë marrë pjesë aktive në arrestimin, hetimin, torturimin, gjykimin, dënimin dhe ekzekutimin e të dënuarve me vdekje gjatë regjimit komunist. Denoncimi vjen nga shoqatat e të burgosurve politikë, të cilat pretendojnë se institucionet shtetërore, si sektori i arkivit në Ministrinë e Brendshme, Prokuroria e Përgjithshme dhe institucione të tjera, nuk japin dokumentet, informacionet dhe të dhënat e nevojshme për të gjetur vendvarrosjen dhe kufomat e të pushkatuarve me gjyq apo pa gjyq gjatë regjimit komunist. Një ndër arsyet e mosdhënies së informacionit lidhur me këtë çështje nga institucionet që administrojnë dokumentacionin përkatës është fakti i klasifikimit të këtyre dokumenteve si sekret sipas legjislacionit në fuqi. Një ankesë-kërkesë është depozituar në zyrën e Avokatit të Popullit, e cila është trajtuar nga komisionari Skënder Haluca. Pas ankesës, Avokati i Popullit ngriti një grup pune për mbledhjen e dokumentacionit për gjetjen e emrave të personave që kanë marrë pjesë në ekzekutime, duke i siguruar për ruajtjen e anonimatit. Me gjithë verifikimin e disa rasteve në Shkodër e Vlorë, asnjë prej personave konkret nuk ka dhënë detaje për vendvarrimet, duke e bërë të pamundur zgjidhjen e kësaj çështjeje delikate. Si përfundim, komisionari i Avokatit të Popullit, Skënder Haluca, mendon se është një detyrim moral dhe ligjor i qeverisë për të ngritur një komision shtetëror për gjetjen e varreve të të pushkatuarve të regjimit komunist. Gazeta “Shqip” kontaktoi me komisionarin Haluca, i cili shpjegon më poshtë mënyrat e hapjes së arkivave shtetërore për gjetjen e vendvarrimeve.
Si mund të zgjidhet ngërçi ligjor i hapjes së arkivave për të ekzekutuarit e komunizmit?
Problemi i dokumentacionit, që bën fjalë për ekzekutimin e ish-kundërshtarëve të regjimit komunist, për mendimin tim duhet të zgjidhet nga institucionet shtetërore. Kjo, për arsye se të gjithë familjarët e viktimave fatkeqe, në mënyra të ndryshme kanë arritur të sigurojnë dokumentacion dhe informacion në lidhje me pjesëmarrësit e ekzekutimit të familjarëve të tyre. Në 99 për qind të rasteve ata nuk kanë pranuar të japin asnjë informacion për vendekzekutimin apo vendvarrosjen e kufomave fatkeqe. Shoqatat e të burgosurve politikë të Shqipërisë, si edhe familjarë të viktimave të të ekzekutuarve gjatë komunizmit, kanë paraqitur ankesa apo pretendimet e tyre pranë zyrës së Avokatit të Popullit gjatë viteve. Në cilësinë e komisionerit të Avokatit të Popullit, që në vitin 2008, nisur nga ankesat dhe pretendimet e tyre, kam ngritur një grup pune me qëllim mbledhjen e dokumentacionit, identifikimin e personave që kanë marrë pjesë në ekzekutim, pyetjen e tyre, duke i siguruar për ruajtjen e anonimatit, por në disa takime që kemi pasur me këta persona nuk kemi arritur t’i bindim që të na tregojnë për vendvarrosjen e saktë të viktimave. Për këtë qëllim, duke u konsultuar me ekspertë brenda Avokatit të Popullit dhe jashtë tij, kam arritur në konkluzionin se ngritja e një komisioni shtetëror me kompetenca të sakta të parashikuara në VKM ose ligje të sakta, ku në përbërje të tyre të ketë ekspertë nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, përfaqësues të SHISH-it, përfaqësues të ish të burgosurve politikë, si edhe ekspertë të Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Për mendimin tim, është mënyra më e saktë që mund të sigurohen vendekzekutimet që janë me dhjetëra në Shqipëri.
Hapja e arkivave nga Ministria e Brendshme dhe prokuroria, a mund t’i identifikojë vendvarrimet?
Shqipëria është i vetmi vend i Europës Lindore që nuk ka bërë pothuajse asgjë për dekriminalizimin e politikës dhe të institucioneve shqiptare. Ishte një përpjekje e mazhorancës nëpërmjet ligjit të lustracionit (që ishte fjala e butë) një përpjekje e dështuar, sepse Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në konflikt të hapur interesi, pasi dihet botërisht që një pjesë e madhe e anëtarëve të kësaj gjykate kanë marrë pjesë aktive në arrestimin, hetimin, torturimin mizor, gjykimin dënimin dhe ekzekutimin e mijërave shqiptarëve të pafajshëm, vetëm për fjalën e lirë, besimin te Zoti, për bindjet pro perëndimore të tyre, kanë qenë prokurorë, gjyqtarë apo hetues gjatë kohës së komunizmit. Ideja e hedhur kohët e fundit me një referendum është një mendim i mirë, por kërkon kohë. Mënyra më e shpejtë është ngritja e komisionit, i cili mund të ngrihet me një ligj të veçantë ose me një vendim qeverie.
Thatë që zyra e Avokatit të Popullit ka bërë kërkime për të ekzekutuarit. A keni një listë me këta persona dhe si kanë qenë “negociatat” me ekzekutuesit?
Pranë zyrës kam një listë me rreth 50 persona. Në krye të listës është një i burgosur shumë i njohur, Xhelal Koprenca, i dënuar dhe i ekzekutuar në vitin 1979 në burgun famëkeq të Spaçit dhe dy ish të burgosur politikë, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, të cilët janë dënuar për organizimin e revoltës të të burgosurve në burgun Qafë Bari në Pukë dhe pas një hetuesie janë dënuar edhe ekzekutuar në Shkodër, natën në errësirë. Në lidhje me të ndjerin Xhelal Koprenca, me gjithë kërkesat që kemi bërë nuk kemi arritur të gjejmë asnjë lloj dokumentacioni që bën fjalë për ekzekutimin e tij, kurse për dy të dënuarit e revoltës së Qafë Barit kemi gjetur procesverbalin e ekzekutimit dhe kemi kontaktuar me një prej tre të ekzekutuarve që akoma jetojnë. Ai, megjithëse e siguruam për ruajtjen e anonimatit, na ka treguar se ka marrë pjesë, por nuk mbante mend vendvarrimet. Ky vend ndodhet tek antenat e radios së Shkodrës, ku për disa vite është përdorur për varrimin e të ekzekutuarve. është një detyrim i qeverisë shqiptare, i institucioneve shtetërore shqiptare, që në përmbushje të rekomandimeve të një rezolute të Këshillit të Europës për dënimin e krimeve të komunizmit, që është ratifikuar në vitin 2006, ku i detyron autoritetet shtetërore shqiptare për ngritjen e një institucioni të veçantë dhe fondit të veçantë, ta ekzekutojë, duke vendosur prehjen në paqe të qindra mijëra viktimave që u pushkatuan nga regjimi komunist dhe sot e kësaj dite nuk dihen vendvarrimet.
#