E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosja me armë për pazare, prangoset djali i deputetes socialiste



TIRANË – Sherri në orët e vona të mbrëmjes së mërkurë në një lokal në zonën e Bllokut ka përfunduar me arrestimin e djalit të deputetes socialiste Arta Dade, ndërsa është plagosur me armë zjarri Edrin Lufi, nipi i ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani. Policia e qarkut të Tiranës bëri të ditur dje detajet e konfliktit në lokalin “Lib...”, në pronësi të shtetasit Besnik Dabulla, ku u njoftua se ka qenë në tryezën ku ndodhi përplasja edhe nipi i udhëheqësit komunist Enver Hoxha, Shkëlzen Hoxha. Por, vetë Shkëlzeni i ka mohuar deklaratat se ka qenë pjesë e konfliktit. Materialet hetimore për djalin e deputetes së PS-së, Besnik Dabulla, i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Tiranë dhe pritet të përballet me akuzat e “plagosjes së rëndë” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Përplasja
Atë që s’e bënë ballazi etërit, e bëjnë bijtë. Një gjë e tillë ndodhi mbrëmjen e dy ditëve më parë në një lokal në zonën e Bllokut, ku ishin ulur nipi i Adil Çarçanit, nipi i Enver Hoxhës dhe djali i deputetes socialiste, Besnik Dabulla, pronar i restorantit ku ndodhi përplasja. Deri në orën 23:30 të rinjtë kanë qenë duke biseduar me njëri-tjetrin, por më pas tonet janë acaruar dhe biseda ka përfunduar me përdorimin e armëve. Sipas policisë, Besnik Dabulla ka qëlluar me një armë zjarri ndaj shtetasit Edrin Lufi, duke i shkaktuar plagosje të rëndë. Burimet policore sqarojnë se 34-vjeçari Lufi është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, nën përkujdesjen e mjekëve.

Hetimi
Forcat e policisë shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri, tip pistoletë, që mendohet se i përket autorit të dyshuar të ngjarjes, Besnik Dabulla. U mor masa e arrestit në flagrancë ndaj shtetasit Besnik Dabulla, me akuzat e "plagosjes së rëndë" dhe "armëmbajtjes pa leje". Të njëjtat burime bënë të ditur gjithashtu se për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. Nga të dhëna jozyrtare bëhet e ditur se të rinjtë janë përplasur për prishje pazaresh në aktivitetet e biznesit që ushtronin. Kjo ka sjellë edhe përplasjen që përfundoi me përdorimin e armëve.

REAGIMI
Nipi i Enver Hoxhës: “Nuk isha në vendngjarje”

Nipi i Enver Hoxhës, Shkëlzen Hoxha, ka përgënjeshtruar deklaratën e Policisë së Tiranës, duke mohuar faktin se ka qenë i pranishëm në përplasjen me armë në lokalin në pronësi të djalit të deputetes socialiste. “Kjo është një ngjarje shumë e çuditshme, pasi në momentin kur unë festoja me 30 miqtë e mi në periferi të Tiranës, në media del se në zonën e ish-Bllokut unë po kryeja krim”, - pohoi për mediat Shkëlzen Hoxha. Sipas tij, nuk ka qenë i pranishëm kur ndodhi ngjarja. I pyetur nëse i njeh autorin dhe personin e plagosur (Besnik Dabulla dhe Edrin Lufi), Shkëlzen Hoxha u shpreh se i njeh të dy personat dhe ka shoqëri me ta. “I kam shokë, por nuk di ç’të them rreth ngjarjes”, - pohoi ai. Nipi i Hoxhës është shoqëruar në polici dhe pohoi se ka deklaruar atë që ka marrë vesh nga miqtë e tij dhe nga mediat.

Lufta në Bulqizë, 6 veta të ndaluar, 2 në kërkim

BULQIZË – Sherri me armë në mes të qytezës së Bulqizës, ku mbeti i vdekur një kalimtar dhe u plagosën dy të tjerë, përfundoi me arrestimin e gjashtë personave dhe shpalljen në kërkim të dy shtetasve të tjerë. Fillimisht policia arrestoi Arben Durricin, por gjatë orëve të vona të mbrëmjes së mërkurë bëri të mundur edhe prangosjen e Adrian Durricit, Ndriçim Durricit dhe Vladimir Crroit. Mes të arrestuarve janë dhe dy personat që u plagosën gjatë sulmit; Shpëtim Reka dhe Leonard Ndreu. Burimet policore njoftuan pak orë pas ngjarjes së dy të plagosurit ishin kalimtarë të rastësishëm, por pas arrestimit të tyre u bë e ditur se ata kanë pasur lidhje me sulmin e armatosur në mes të qytetit. Policia thotë se është vënë në ndjekje të autorëve, të cilët njihen si persona me precedentë penalë, Ilirjan Jangulli dhe Destan Gjeta.
Nga përplasja e grupeve rivale për kromin mbeti i vrarë Fehmi Kurçami. 48-vjeçari kishte zbritur në qytet për të bërë noterinë e një prone. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi vetëm pak metra larg Bashkisë së qytetit mes grupeve rivale të shfrytëzimit dhe shitjes së mineralit të kromit në Bulqizë, ai i Durricëve dhe i Ilirjan Jangullit, njëri në një automjet dhe tjetri në këmbë. Në mes të qytetit kanë qëlluar ndaj njëri-tjetrit duke përdorur një arsenal të tërë armësh në prani edhe të dhjetëra qytetarëve. Sipas disa burimeve policore dyshohet se gjatë këtij sulmi të pazakontë të jenë përdorur automatikë dhe pistoleta. Pas ngjarjes nisën kërkimet, ku në ndihmë të policisë erdhi edhe një helikopter. Operacionet për arrestimin e dy personave të tjerë të kërkuar po zhvillohen edhe në Maqedoni, ku është kërkuar ndihma e autoriteteve policore të vendit fqinj.

TË ARRESTUARIT
Arben Durrici
Adrian Durrici
Ndriçim Durrici
Vladimir Crroi
Shpëtim Reka
Leonard Ndreu

TË KËRKUARIT
Ilirjan Jangulli
Destan Gjeta

Dyshimi, vrasja e Grabockës për shkak të borxheve

KORÇË – Policia e Korçës tha se ka shoqëruar 20 persona për hetime në lidhje me vrasjen e tregtarit Marsel Grabocka, i cili u qëllua mbrëmjen e së mërkurës me armë zjarri në banesën e tij. Një plumb në kokë dhe dy goditje me armë në gjoks, sipas autopsisë, i kanë marrë jetën tregtarit. Policia tha se ngjarja ka qenë e paramenduar për shkak se disa shtetas kanë pasur konflikte me Marsel Grabockën, i cili, sipas dëshmitarëve, frekuentonte lojërat e fatit dhe kishte borxhe të pakthyera. Autori i ngjarjes, megjithatë, ende nuk është identifikuar.

RENEA prangos të shumëkërkuarin pas 8 orësh negociata

SHKODËR – Policia e Shkodrës arrestoi një shtetas të shumëkërkuar nga Drejtësia, pas 8 orësh rrethimi me një numër të madh efektivash, të cilët kanë finalizuar misionin për çarmatimin e tij dhe vënien në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Aplet e Nikçit”, ka përfunduar në pranga shtetasi Behar Delaj, 32 vjeç, banues në fshatin Nikç të komunës së Kelmendit. Për kapjen e tij u përfshinë jo vetëm strukturat e Policisë të qarkut të Shkodrës, por edhe specialët e RENEA-s. Delaj u kap në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një operacioni të mirorganizuar.
“Arrestimi i tij u bë për arsye se ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 25 nëntor 2009 dhe ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së narkotikeve”. Në një operacion të bërë më 30 shtator të vitit 2009, nga kontrolli i ushtruar në stanet e fshatit Nikç, janë evidentuar dhe më pas asgjësuar me anë të djegies 192 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa, si dhe janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3.4 kg bimë narkotike, të cilat ishin mbjellë dhe mbaheshin nga i lartpërmenduri. Një tjetër vendim i gjykatës rëndon mbi Delajn. Ai po gjykohet edhe për veprën penale të “kanosjes për shkak të detyrës”. I shumëkërkuari është kapur në flagrancë në banesën e tij. Efektivët policorë mbajtën të rrethuar prej 8 orësh banesën e Behar Delajt, i cili ka refuzuar që t’i bindet kërkesës së policisë për t’u dorëzuar. Materialet në ngarkim të personit të arrestuar pritet t’i kalojnë prokurorisë, pasi ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes së narkotikeve”, “kanosje për shkak të detyrës”, “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, “kundërshtim dhe mosbindje të forcave policore”.

Zhduket në Itali shqiptarja me dy fëmijë

MASSAROSA – Policia italiane tha se po vazhdon kërkimin për gjetjen e shqiptares Rajmonda Zefi, e cila është denoncuar e zhdukur që prej datës 31 dhjetor 2010 nga shtëpia ku ka jetuar me partnerin e saj dhe dy fëmijët 3 dhe 8 vjeç.
Sipas hetuesve, telefoni i gruas shqiptare, që tashmë konsiderohet i zhdukur, është jashtë shërbimi që prej gjashtë ditësh. Policia po heton ngjarjen, ndërkohë që ka bllokuar edhe makinën në pronësi të bashkëshortit të gruas së zhdukur. "Kjo është një detyrë, - tha major Andrea Pasquali, - ne nuk përjashtojmë asnjë pistë”. Ai u paraqit tri ditë me vonesë në polici për të bërë denoncimin e ngjarjes. Sipas thashethemeve të mbërritura në polici, gruaja shqiptare dhe i shoqi ishin ndarë pasi prej disa kohësh nuk po kalonin një raport të mirë mes tyre.

7 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›