E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, hetimet për Dondollakun presin gjykatën

 

TIRANE – Prokuroria shqiptare është detyruar të presë vendimin e Gjykatës së Lartë në Itali për të vazhduar më pas hetimet për akuzën e trafikut të drogës ndaj të konsideruarit si numri dy i “Bandës së Lushnjës”, Enver Dondollaku. Sipas burimeve zyrtare mësohet se nga pala italiane kanë mbërritur në Tiranë mbi 50 fashikuj nga dosja penale me përgjime telefonike të bëra Dondollakut dhe personave të tjerë me të cilët ai ka bashkëpunuar. Mësohet se mbi bazën e këtyre materialeve të ardhura nga Italia, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është hapur procedimi penal, i cili duket se ka mbetur pezull për shkak se për të njëjtën akuzë, trafik droge në Itali, Enver Dondollaku u dënua 16 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit, ndërsa e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë në Romë. Për këtë shkak, derisa gjykata e Lartë në Itali të shprehet lidhur me këtë çështje, Prokuroria shqiptare nuk mund të bëjë hetime të efektshme, pasi sipas legjislacionit shqiptar, një i pandehur nuk mund të gjykohet dy herë në procedime penale të ndara për të njëjtën vepër penale. Në këtë mënyrë, organi i akuzës është duke pritur vendimin e gjykatës italiane, ndërsa autoriteteve të vendit fqinj u është komunikuar se vendimi i gjykatës dhe vuajtja e dënimit për Dondollakun mund të ekzekutohen edhe në Shqipëri. Numri dy i “Bandës së Lushnjës” akuzohet se ka trafikuar mbi 300 kilogramë heroinë në Itali për disa vjet për llogari të Aldo Bares.                        t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›