Prindërit hedhin në koshin e plehrave të porsalindurin
ETLEVA DELIA
Një foshnjë e porsalindur është gjetur mëngjesin e djeshëm në një kazan plehrash shumë pranë maternitetit “Koço Gliozheni” në kryeqytet. Foshnja e seksit femër ka lindur e vdekur dy ditë më parë në maternitet në muajin e shtatë të shtatzënisë, ndërsa dje prindërit e kanë marrë nga materniteti për ta varrosur. Por në fakt nuk kanë vepruar ashtu, pasi duke besuar në një besëtytni mbi fëmijët që lindin të vdekur, ata kanë vendosur që të mos i kryejnë ritet e varrimit, por ta hedhin atë në kazanin më të afërt të plehrave, sapo kanë dalë nga spitali. Burime nga policia thanë se sapo janë sinjalizuar për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në maternitet dhe kanë sekuestruar kartelën ku ishte regjistruar lindja. Foshnja është parë nga punonjësit e pastrim-gjelbërimit, të cilët menjëherë e kanë denoncuar ngjarjen në Komisariatin numër një të policisë së Tiranës. Pas verifikimeve që janë kryer në maternitetin “Koço Gliozheni”, oficerët e policisë janë njohur me lindjet e dy ditëve të fundit dhe ka rezultuar se të hënën ka lindur një foshnje e vdekur, në muajin e shtatë të shtatzënisë. Foshnja e seksit femër, rezultonte e regjistruar në emrat e prindërve të tij, Genci dhe Mimoza Kora, banues në një fshat periferik të Tiranës. Menjëherë është zbuluar vendndodhja e tyre dhe ata janë shoqëruar për të dhënë deklarime rreth ngjarjes së rëndë në komisariatin numër një. Të njëjtat burime sqaruan se çifti Kora e kishin fëmijën e tyre të parë, foshnjën që u kishte lindur e vdekur dhe pikërisht për këtë fakt ata e kanë braktisur duke e hedhur në një kazan plehrash. Duke besuar në një besëtytni të çuditshme, për fëmijët e parë që lindin të vdekur, ata kanë vendosur që foshnjën të mos e varrosin sipas të gjitha riteve që i takojnë një të vdekuri, por ta hedhin në plehra. Kalimtarë të rastit të kryeqytet janë tronditur mëngjesin e djeshëm, teksa kanë parë punonjësit e pastrim-gjelbërimit, që nxirrnin nga koshi i plehrave një foshnjë të porsalindur. Menjëherë kanë lajmëruar policinë për të shkuar në vendin e ngjarjes, si dhe për të ndaluar prindërit e foshnjës, paraprakisht duke menduar se e kishin braktisur të gjallë, duke e vrarë më pas. Duke qenë se fëmija i porsalindur është gjetur pranë maternitetit “Koçi Gliozheni”, një grup hetimor është nisur për të verifikuar lindjet në këtë spital dhe për të zbuluar prindërit e foshnjës së braktisur. Pas verifikimit të të gjitha kartelave dhe lindjeve të ditës së hënë, ka rezultuar se vetëm një foshnjë e seksit femër, ka lindur në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe ka lindur e vdekur. Si rezultat i verifikimeve ka rezultuar se fëmija i lindur ishte pikërisht ai që ishte gjetur në koshin e plehrave. Prindërit Genci dhe Mimoza Kora janë shoqëruar për të dhënë deklarime në polici dhe më pas janë lënë të lirë, pasi ngjarja nuk përbënte vepër penale për ta.
“Fëmijët që lindin të vdekur nuk varrosen, na ecën ters”
TIRAE - Një grup hetimor është ngritur nga policia e kryeqytetit menjëherë sapo janë sinjalizuar për foshnjën e vdekur, që është gjetur në një kazan plehrash. Pas verifikimit të kartelës së lindjes është bërë i mundur identifikimi prindërve, të cilët janë Genci dhe Mimoza Kora, banues në një fshat periferik të Tiranës. Gjatë deklarimeve të tyre prindërit kanë shpjeguar edhe arsyet se përse kishin vendosur që të hidhnin foshnjën, e cila kishte lindur e vdekur, në një kazan plehrash dhe të mos e varrosnin. “Sipas një riti, në të cilin besojmë, thuhet se foshnja e parë e çiftit nëse lind e vdekur nuk duhet varrosur, pasi është një shenjë e keqe dhe mund të mos lindim më fëmijë”. Kështu mësohet të kenë deklaruar në polici, prindërit e foshnjës së porsalindur. Një dëshmi paksa e çuditshme, por që i ka lënë të lirë të dy të rinjtë, pasi nuk ekzistonte asnjë vepër penale, e parashikuar në Kodin Penal, apo në atë të Procedurës Penale, që mund t’i arrestonte. Pasi kanë dhënë deklarimet e tyre në polici, Genci dhe Mimoza Kora janë lënë të lirë. e.d