Plan i përbashkët mes Ministrisë së Punës dhe PNUD-it për punësimin
Tiranë Përfaqësues nga ministritë e linjës, partnerët socialë, sektori privat, institucionet kombëtare dhe vendore, si dhe nga shoqëria civile u mblodhën së bashku për të marrë pjesë në prezantimin zyrtar të një Plan-Aksioni trevjeçar për punësimin e të rinjve në Shqipëri. Ky plan është fry i konsultimeve që janë zhvilluar gjatë më shumë se një viti, nën drejtimin e Ministrisë së Punës. Norimasa Shimomura, drejtor i PNUD-it në Shqipëri, i ftuar të merrte pjesë në këtë aktivitet, vuri në dukje se “Trajtimi i çështjes së punësimit të të rinjve është me mjaft rëndësi për zgjidhjen e një sërë çështjeve që kanë të bëjnë me çrrënjosjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kombet e Bashkuara në Shqipëri mbështesin përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për përfshirjen e prioriteteve të politikës për punësimin e të rinjve në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) nëpërmjet një game të gjerë programesh.” Daniela Zampini, drejtuese teknike e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, shprehu “vlerësimin më të lartë për rolin drejtues të Ministrisë së Punës, e cila ka marrë përsipër përgjegjësinë e madhe për ta bërë më të mirë të ardhmen e të rinjve shqiptarë.” I hartuar nga MPÇSSHB në kuadrin e zbatimit të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, Plani i Aksionit për Punësimin e të Rinjve përmbledh 44 opsione politike të parashtruara nga Ministria e Punës, prej të cilave do të përfitojnë 65 000 të rinj dhe të reja, gjatë 3 viteve të ardhshme.
Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve (PMR), i financuar nga Qeveria Spanjolle nëpërmjet Fondit për Arritjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit (OZHM), ka si partnere në drejtim Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Së bashku me të janë duke punuar katër agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara: ILO, IOM, UNDP dhe UNICEF, duke pasur si qëllim rritjen e mundësive për punë të denjë dhe menaxhimin e migrimit të të rinjve nëpërmjet një ndërthurjeje më të mirë të këtyre prioriteteve në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI).