CEZ : Dërmenasi paguan vetëm 23 për qind
TIRANE CEZ, kompania e shpërndarjes, nëpërmjet një komunikate ka bërë me dije se pas një sërë masash dhe paralajmërimesh kundrejt debitorëve në fshatrat Ndërmenas (Fier) dhe Gril (Shkodër) vetëm 23% e banorëve në Ndërmenas dhe 15% në Gril kanë bërë pagesat e debive të mbledhura nga mospagesat e faturave të energjisë elektrike. Megjithë insistimin e kompanisë në bashkëpunim me policinë dhe pushtetin vendor, pjesa më e madhe e banorëve të këtyre fshatrave vazhdojnë të mos paguajnë detyrimet e tyre. Për të mos penalizuar në mënyrë kolektive të gjithë banorët e këtyre fshatrave dhe veçanërisht ata që i janë përgjigjur përpjekjeve të kompanisë për të paguar, CEZ Shpërndarje instaloi sot transformatorë në të dy fshatrat për të bërë furnizimin e vetëm këtyre konsumatoreve. Megjithatë, CEZ Shpërndarje do të vazhdojë të mos furnizojë me energji elektrike ata konsumatorë të cilët nuk paguajnë detyrimet e tyre financiare. CEZ Shpërndarje është e vendosur të mos lejojë që konsumatorët të vjedhin apo mos paguajnë energjinë elektrike.