E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Leku, trimërinë e Skënderbeut të kishte, ndjeu forcën e euros”



“Edhe sikur të kishte trimërinë e Skënderbeut, leku e ndjeu forcimin e euros”. Në këtë mënyrë Kryeministri Sali Berisha e komentoi forcimin e euros, e cila u bë problem madhor, fillimisht për një seri vendesh jashtë sistemit të euros, por anëtare të Bashkimit Evropian apo në proces e sipër për t’u bërë anëtare, sepse raporti euro me monedhat e këtyre vendeve u zhvlerësua nga 15 deri në 40 për qind. “Natyrisht, leku nuk mundej që, jo trimërinë e Lekës, por edhe trimërinë e Skënderbeut po të kishte, të mos e ndiente këtë forcim të papërmbajtur të euros. Duhet të themi se leku është mbajtur më mirë se të gjitha monedhat e tjera të vendeve përreth”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, Banka e Shqipërisë, ia doli ta menaxhonte shumë mirë problemin, ta menaxhonte me gjakftohtësi dhe profesionalizëm, jashtë çdo lloj emotiviteti dhe disa përpjekjesh shumë të papranueshme të grupeve të caktuara që vunë në shërbim të interesave të tyre politike propaganda dhe qeverinë me antilek. “Kjo është e vërteta dhe ishte diçka shumë e rëndë, por Banka nuk ra në këto kurthe dite dhe mbajti qëndrimin e saj, duke pranuar një fleksibilitet të qëndrueshëm të lekut dhe duke vëzhguar gjithnjë me vëmendje të madhe ndikimin e euros”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›