E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani Rregullues, Tirana, me 14 qendra dytësore



Mes debateve ka kaluar mbrëmjen e djeshme nga Këshilli Bashkiak, plani rregullues i Tiranës, i cili pritet të kufizojë kaosin urban të kryeqytetit. Sipas prezantuesit të planit përpara këshilltarëve, administratorit të Bashkisë së Tiranës, z. Dritan Agolli, ky plan do të ofrojë më shumë hapësira të gjelbra, 200 mijë vende të reja pune dhe 14 qendra dytësore, krahas një hierarkie rrugore dhe ndarje të qartë të zonave të ndërtimit në kryeqytet. Gjatë debatit për planin, këshilltarët demokratë kundërshtuan mënyrën jontransparente të bërjes së planit, si edhe reaguan ndaj mungesës së gjelbërimit në kryeqytet, që sipas planit do të përqendrohet në zonat periferike.

Policentrizmi

Pas mosdërgimit të planit rregullues për më se dy vjet në Këshillin Bashkiak nga administrata e bashkisë, këshilltarët kërkuan në fillim të mbledhjes që prezantimi i planit të ishte pika e parë e rendit të ditës, çka u pranua nga shumica e këshilltarëve. Prezantimin e dokumentacionit teknik të planit e kreu administratori i Bashkisë së Tiranës, z. Dritan Agolli.

Duke shpjeguar në harta dixhitale, administratori i bashkisë prezantoi hap pas hapi të gjitha pjesët e planit, duke theksuar se synimi kryesor i tij është që të shndërrojë Tiranën në një qendër metropolitane. Për këtë arsye, sipas Agollit, do të krijohen në total 14 qendra dytësore të cilat do të lidhen me qendrën kryesore të kryeqytetit, duke shmangur përqendrimin e të gjithë jetës sociale, ekonomike dhe politike në një zonë të vetme.

Sipas tij, plani ka marrë parasysh se Tirana pritet të ketë 1 milion e 40 mijë banorë në vitin 2020 nga 650 mijë që ka sot, e për këtë arsye plani parashikon zgjerimin e kryeqytetit në drejtim të zonave të Paskuqanit dhe të Farkës.

Infrastruktura

Ndërkohë, sipas këtij plani e gjithë infrastruktura e kryeqytetit do të pësojë një shndërrim rrënjësor, duke krijuar hierarkinë e rrjetit rrugor. Sipas z. Agolli, ky plan parashikon mënyra të ndryshme të transportit qytetar, duke krijuar rrugë për çiklistë, motoçikleta, e të tjera, krahas rrugëve për makina, si edhe duke mundësuar krijimin e korsive të veçanta për autobusët dhe emergjencat.

Për më tepër, plani parashikon zhvendosjen e stacionit të Trenit në Laprakë dhe zgjatimin e bulevardit “Zogu I” drejt Paskuqanit. Plani parashikon ndërtimin e dy tramvajeve një nga Paskuqani në sheshin “Nënë Tereza” dhe tjetra nga Universiteti Bujqësor deri në Tufinë.

Hapësirat sociale

Plani rregullues ka parashikuar ndërtimin e 15 poliklinikave të reja, 17 shkollave, si edhe të kampusit të ri universitar, të kërkuar prej shumë kohësh nga universitetet e kryeqytetit. Sipas z. Agolli, duke u fokusuar në zgjerimin e kryeqytetit, duhej përqendruar edhe në mundësitë që duhet të ofrojë Tirana për banorët e saj në një plan afatmesëm.

“Ky plan parashikon hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës dhe mundësi banimi për 400 mijë banorë të rinj, duke qenë se sipas parashikimeve demografike popullsia e kryeqytetit në vitin 2020 do të jetë më shumë se 1 milionë”, – tha z. Agolli.

Për më tepër, sipas tij, Plani i ri Rregullues i Tiranës ka tentuar t`i japë një këndvështrim të ri të jetës së metropolit shqiptar, duke krijuar dy parqe të reja urbane në zonën e mbuluar sot nga komunat e Farkës dhe të Paskuqanit.

Hapësirat e gjelbra

“Plani rregullues parashikon se në një afat dhjetëvjeçar do të krijohen 175 mijë hektarë gjelbërim”, – deklaroi z. Agolli, porse ky territor i gjelbëruar është i përqendruar në periferi të Tiranës, në zonën e Paskuqanit dhe të Farkës, duke mos pësuar rritje të konsiderueshme të sipërfaqes me hapësirë të gjelbër në zonën aktuale të Bashkisë së Tiranës.

Kjo solli edhe reagimin e anëtarëve demokratë të Këshillit Bashkiak, të cilët theksuan se hapësirat e gjelbra u privohen sërish qytetarëve, duke qenë se ato mbeten jashtë kryeqytetit, edhe pse janë pjesë e planit urbanistik.

Debatet

Pas prezantimit të planit nga ana e administratorit të Bashkisë së Tiranës, këshilltarët e Partisë Demokratike kritikuan disa pjesë të planit, duke thënë se në shumë pjesë të tij ka një vizion dritëshkurtër. “Nuk e di se pse është bërë ky plan me vizion kaq dritëshkurtër”, – tha këshilltari demokrat, z. Ferdinand Poni, duke komentuar mbi rrugët paralele për çiklistët dhe motoçiklistët, të cilat sipas tij janë të pamjaftueshme për zhvillimin konkret të kryeqytetit.

Për më tepër, këshilltarët demokratë debatuan me administratorin për mungesën e transparencës mbi këtë plan. Situata degjeneroi deri në fyerje personale ndërmjet administratorit të bashkisë, z. Dritan Agolli dhe këshilltarit demokrat të Këshillit Bashkiak, z. Gjergj Bojaxhi. Duke iu përgjigjur disa prej pyetjeve të këshilltarëve, z. Agolli deklaroi se ky plan ishte konsultuar me banorët e kryeqytetit, duke sjellë reagimin e z. Bojaxhi.

“Ky është plani i parë i këtij lloji në Republikën e Shqipërisë plani është i qytetit dhe qytetarëve dhe jo i politikës. Ky ka qenë plani që ka pasur diskutimet më të mëdha publike që nga qytetari më i thjeshtë deri tek kryeministri dhe Presidenti”, – tha Agolli. “Ky plan është përkthyer para disa muajsh dhe ti po gënjen, nuk jemi këtu për tu tallur”, – iu kundërpërgjigj Bojaxhi.

Kjo solli përplasje verbale mes të dyve, çka detyroi kryetarin e Këshillit Bashkiak, z. Sokol Dervishaj, të ndërpresë seancën. Pas 15 minutash pushim, seanca vijoi, duke i dhënë “ok” kalimit të planit rregullues në KRRTRSH. Tashmë, këshilli teknik i Bashkisë së Tiranës do të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për t`ia kaluar Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, së kryesuar nga kryeministri Berisha, që do të japë vendimin përfundimtar mbi hyrjen në fuqi të këtij plani

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›