E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet “Gjenerali...”



Teatri shqiptar i Shkupit ka anuluar befasishëm ardhjen në Prishtinë me shfaqjen "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" të Ismail Kadaresë, me regji të Dino Mustafiq.

Lajmin e Teatrit Kombëtar të Kosovës e ka dhënë Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar të Shkupit. Sipas Karagas, problemet financiare janë arsyeja kryesore për anulimin e turneut në Prishtinë me shfaqjen “Gjenerali…”!

Karaga, nëpërmjet telefonit, ka shpjeguar arsyet për këtë anulim të pakëndshëm, duke “fajësuar” veçanërisht mosgatishmërinë e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë që të mundësojë këtë turne në Prishtinë. Teatri Kombëtar i Kosovës pati bërë të gjitha përgatitjet për të pritur trupën mysafire të Teatrit të Shkupit. Interesimi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm. “Na vjen keq që u anulua ardhja e “Gjeneralit...” në Prishtinë. Vërtet na vjen keq, posaçërisht për publikun që tregoi kaq shumë interesim për këtë shfaqje. Fatkeqësisht ne, nga ana jonë, nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Me kapacitetet tona ne u kemi ofruar mbulimin e shpenzimeve të akomodimit, por nuk kemi mundur të ofrojmë më shumë”, - tha Jeton Neziraj, drejtori artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke shprehur bindjen se ardhja e “Gjeneralit...” do të mundësohet në një të ardhme të afërt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›