Tani edhe për Edi Ramën garantohet lëvizja e lirë me pasaportë biometrike
“Që kriza politike nuk e kushtëzon liberalizimin e vizave, kjo ka qenë vijimësisht një besim i përbashkët”.
Kjo deklaratë, për ata që nuk e besojnë, duhet “ta bëjnë zemrën gur” dhe të pranojnë “fatin” se është artikuluar jo më larg se dje, nga Edi Rama.
Me deklaratën e djeshme, kreu i PS-së, duket se ka pranuar dështimin dhe kapitullimin përballë zhurmnajës disa mujore për të frenuar procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Pas kësaj, Edi Ramës nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të nxitojë në njësinë bashkiake të Tiranës, ku mund të ketë gjendjen e tij civile, apo në komunën e Pezës për të aplikuar për një pasaportë biometrike, në pritje të ditës kur do të zyrtarizohet lëvizja e lirë. Në qoftë se ka problem lënien e gjurmëve të gishtave, atëherë ky është problemi i tij, por jo arsye që ai të investohej fuqishëm për të penguar procesin e pashmangshëm të lëvizjes së lirë.
Me pohimin e tij të djeshëm, i vetmi, besohet i sinqertë, prej kohësh që nuk mbahen mend, Edi Rama, si me “një të fshirë gome” tentoi të bëhej pjesë e festës, ku tashmë vetëm torta ka ngelur për të ndarë.
Ndoshta Edi Rama është në rregull me shprehjen frazeologjike “më mirë vonë se sa kurrë”, por nuk është keq, “që në emër të mosharresës së historisë” t’i kujtojmë se në qoftë se dje, ai do të kishte dalë para gazetarëve, jo te salla e mbledhjeve të PS-së, por te holli i godinës, me siguri do të “akomodohej” pas podiumit, i cili prej disa javësh është “zbukuruar” nga slogani “hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”, slogan që sigurisht, deri pa u zëvendësuar me një tjetër, ende me ekzistencën e tij të mundshme zhvlerëson pretendimin e Edi Ramës për “mos kushtëzimin e liberalizimit të vizave”. Në të kundërt nuk mund të besohet se ç’marrëdhënie “jokushtëzuese” qëndron në “trekëndëshin revolucionar” “kuti-viza-ekonomi”, që Edi Rama nuk është lodhur së përmenduri të pandara nga njëra-tjetra, nëpër rrugë fshatrash e qytetesh, ku ka pasur rastin të shkojë në udhëtimin e fundit turistik, postngujimit në çadrat para kryeministrisë.
Pavarësisht kthesës së papritur, pse jo dhe befasuese të djeshme, Edi Rama gjithmonë e ka pasur bindje se hapja e kutive kushtëzonte liberalizimin e vizave dhe se përballë kësaj bindje, të vetmin merak që ai (Edi Rama) ka pasur dhe ka shprehur në mënyrë të përsëritur, lidhej me faktin e “mos faturimit të dështimit të liberalizimit të vizave”, opozitës në përgjithësi dhe atij në veçanti.
Aq e madhe ka qenë bindja e Edi Ramës, pse jo edhe e Gramoz Ruçit, se liberalizimi i vizave, ishte një proces i kushtëzuar nga transparenca apo hapja e kutive, sa që, të dy këta, në mënyrë të alternuar, njëri te godina e PS-së dhe tjetri nga podiumi i Parlamentit, nuk reshnin së artikuluari frazën, që s’dihet kush “e zbuloi” i pari, nëpërmjet së cilës nuk e fshihnin dëshirën dhe bindjen se sipas tyre, procesi ndodhej më pranë “heqjes së vizës për Shqipërinë, se sa heqjes së vizave për shqiptarët”.
Bindja e Edi Ramës, se liberalizimi i vizave ishte një proces që kushtëzohej prej hapjes së kutive ishte aq e madhe, sa ai (Edi Rama), deri para ditës së djeshme mes “errësimit të syve”, nuk lexonte, nuk dëgjonte, por për më tepër as nuk kuptonte as ftesat miqësore të ndërkombëtarëve, as konkluzionet zyrtare të Komisioneres së BE-s për çështjet e brendshme, Cecilia Malstromm, e cila në emër të Komisionit Europian, bashkë me rekomandimin për heqjen e vizave, rendiste si kushte të vetme, “strategjinë e riintegrimit te të riatdhesuarve”, “luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, dhe “zbatimin me efikasitet të ligjit të ri antimafia për konfiskimin e aseteve kriminale”. Për çudinë e të gjithëve, por jo të Edi Ramës, ndërsa askund ndër këto tri kushte, që s’janë veçse parathënia e liberalizmit të vizave dhe integrimit në Europë, nuk përmenden kutitë, ai (Edi Rama) megjithatë kokfortësisht këmbëngulte për të imponuar ëndrrën që ai shihte me sy hapur, shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve jo, por pse jo, ndoshta vetes së tij.