Beqaj përgatit rikthimin: Më 29 gusht jam në fushë
“Me shumë mundësi do të luajë në premierën e kampionatit qipriot, më 29 gusht”. Kështu është shprehur, në një intervistë për mediat greke, portieri i Kombëtares shqiptare dhe Anorthosis, Arjan Beqaj. Pas dëmtimit që pësoi në prag të ndeshjes Shqipëri-Hungari, ai u bë gati pesë muaj që qëndron larg fushave. Gjatë kësaj kohe, portieri ka kryer terapi të vazhdueshme në Belgjikë, për të kuruar problemin në shpatull. “Natyrisht që një dëmtim i tillë kërkon kohë të gjatë për t’u riaftësuar. Po bëj të gjitha përpjekjet që të jem në fushë javën e parë të kampionatit. Megjithatë, unë përsëri duhet të jem i kujdesshëm, pavarësisht se kam një vullnet të jashtëzakonshëm për t’i kapërcyer të gjitha këto situata. Dua të rikthehem aty ku kam qenë me Anorthosis. Kam shumë besim se do t’ia dal”, - shtoi kosovari i përfaqësueses kuqezi, i cili që prej tri vitesh bën pjesë te Anorthosis Famagusta. Në fund, 33-vjeçari foli me superlativa për trajnerin e ri të ekipit, serbin Slavoljub Muslin.