E Shtunë, 31 Tetor 2026

100 punonjës në protestë, i mashtroi me pagesat njeriu i Metës

Share

Mbi 100 punonjës të kompanisë Debt International Advisory Albania kanë dalë në protestë për shkak se thonë se janë mashtruar nga Kastriot Ismailaj, administrator i saj. Ismailaj, për të cilin gazeta Tema ka raportuar disa herë si njeri pranë Metës, akuzohet se nuk ka paguar punonjësit e tij. Ismailaj fitoi një kontratë për të mbledhur borxhet e CEZ. Projekti parashikonte që 260 punonjësit të paguheshin rreth 550-600 euro në muaj dhe do u ofroheshin kushtet e nevojshme për punë. Për më tepër, CEZ nënshkroi kontratën me kompaninë DIA për një fond mujor prej 512 mijë euro shpenzime operative. Por sipas punëtorëve, edhe pse Ismailaj mori paratë nga CEZ, pagoi vetëm pagat e 110 punonjësve nga 33.000 lekë të vjetra në muaj dhe nuk bëri asnjë investim për zyra, pajisje, mjete e logjistikë. Punonjësit thonë se ata kanë punuar edhe të shtunën, edhe në ditë festash dhe kanë tejkaluar planin për mbledhjen e borxhit me 70 përqind. Por Ismailaj nuk i ka paguar dhe punonjësit thonë se ai ka përfituar rreth 400 mijë euro në muaj në mënyrë të padrejtë. Punonjësit i kanë bërë thirrje edhe prokurorisë të hetojë.

Në një intervistë televizive, Dritan Prifti pati akuzuar se: Ilir Meta ka shkuar në Çeki kur Shkodra përmbytej për ti kërkuar CEZ ti jepte Kastriot Ismailajt, një personi me dosje, një kontratë për të mbledhur borxhet e vjetra. Janë 200 mln euro borxhe. Nëse ai i mbledh, merr 50 përqind.

Kastriot Ismailaj, për të gjithë ata që e njohin, është një biznesmen misterioz. Ai aktualisht menaxhon një lokal në qendër të Tiranës ku shihet shpesh Ilir Meta dhe familja e tij. Është lokali ku Meta dhe Nano shpesh darkojnë me njëri- tjetrin, duke i bërë sms medies. Ismailaj lidh në mënyrë misterioze Ilir Metën me një grup serb në fushën e minierave, edhe pse pa shumë biografi në këtë drejtim dhe me përdorimin e kompanisë së tij si blerës dhe pastaj shitës i një prej minierave më të mëdha të zinkut në botë.

Ndërkohë, në një shkrim të gazetës së njohur zvicerane Neue Zurcher Zeitung flitet për Kastriot Ismailajn si pjesë e një grupi pastrimi parash. Gazeta shkruan për një skandal që lidhet më një minierë në Kongo, Afrikë, në qendër të të cilit është Kastriot Ismailaj. Sipas gazetës, minierat në Kongo, merren nga firma fantazëm, që më pas ua shesin firmave gjigante. Kështu ka ndodhur edhe me Kastriot Ismailajn.

Bëhet fjalë për një minierë zinku në Kipushi të Kongos. Miniera prodhonte deri në 140 mijë ton zink në vit. Banka Botërore e cilëson një nga burimet më të mëdha të zinkut e germaniumit në botë. Por Kongo nuk mund ta mbante këtë minierë ndaj kërkon investitorë të huaj. Në mesin e ofertuesve është edhe një firmë fantazmë zvicerane, që e paraqet veten si një firmë të fuqishme. Firma ka thjesht një seli në Zvicër, në shtëpinë e Edwin Rüegg, konsull nderi i Shqipërisë në Zvicër. Firma që do merrte minierën ka pasur një kapital themeltar prej 100 mijë frangash zvicerane dhe 98 përqind janë në pronësi të Kastriot Ismailajt.

Në dokumentin e përgatitur për të blerë minierën, thuhet se firma e Ismailajt ka në punë 6 mijë persona. Por gazeta thotë se Kastriot Ismailaj thjesht ka regjistruar një firmë në Tiranë në vitin 2005 me adresë shtëpinë e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›