Plani i fushatës zgjedhore mbahet peng nga kryesia
Plani për organizimin e fushatës elektorale nuk ka marrë ende formë zyrtare në Partinë Socialiste. Pavarësisht punës së drejtuesve të tij, duhet miratimi i kryesisë së kësaj partie që plani të vihet në zbatim. Prej më se dy javësh anëtarët e kryesisë së PS-ja janë vënë në dijeni se do të ketë një mbledhje, në të cilën do të diskutohen e miratohen propozimet e shtabit elektoral për ecurinë e fushatës, por ende nuk janë vënë në dijeni se kur do të zhvillohet ajo. Zhvillimet më të fundit politike, apo edhe vizitat jashtë vendit të kryetarit të PS-së në rolin si kryebashkiak, deri edhe të mungesa e ndonjë anëtari të kryesisë, që është pjesë e këtij plani, kanë shtyrë zhvillimin e kësaj mbledhjeje javë pas jave. Ndërkohë që burime nga PS-ja thonë se nuk ka asnjë ide se kur mund të zhvillohet ajo. Kryesia është një strukturë drejtuese, që nuk mund të zhvillojë takime pa kërkesë të kryetarit të partisë dhe gjithashtu axhendën e takimit e miraton më parë ai. Por duket se Rama po e shtyn në një afat të pacaktuar këtë mbledhje të shumëpritur për PS-në, e cila po tenton të organizohet për zgjedhjet e reja të vitit që vjen. Propozimet që vijnë nga shtabi elektoral që drejtohet nga Ruçi, Islami, Xhafa, Idrizi e Bisha etj., kanë për bazë organizimin e partisë me strukturat që vijnë nga qendra duke zbritur drejt bazës. Njëkohësisht shtabi është i ndarë në disa grupe të vogla, që organizojnë aspekte të veçanta të fushatës, si imazhi, komunikimin me mediat etj. Për momentin çështja e kujdestarëve të qarqeve ka marrë formë zyrtare dhe të prerë, edhe pse nuk ka vendim kryesie për këtë. Në projektin e kujdestarëve të fushatës janë përfshirë pothuajse të gjithë anëtarët e kryesisë, të cilët do të kenë në përgjegjësinë e tyre një qark që nga ky muaj deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Shtabi qendror në PS do të ketë detyrën kryesore, atë të koordinimit me kujdestarët e qarqeve për të evidentuar problemet dhe për të gjetur zgjidhjen. Gramoz Ruçi, Etleva Bisha, Kastriot Islami, Fatmir Xhafa, Shpëtim Idrizi dhe Blendi Klosi do të drejtojnë nga selia rozë veprimet elektorale të partisë. Ndërsa në qarqe janë shpërndarë emrat e tjerë të sekretariatit dhe kryesisë së PS-së. Kështu Erion Braçe do jetë kujdestar i qarkut të Beratit, në Durrës Namik Dokle, Elbasani do mbulohet nga kryetarja e grupit, Valentina Leskaj. Në Fier kujdestare është Ermelinda Meksi, Gjirokastër sërish Gramoz Ruçi, ndërsa në Korçë deputeti i kësaj zone, Ben Blushi. Në Kukës është kujdestare Mimi Kodheli, në Lezhë Lindita Nikolla, Mimoza Hafizi në Shkodër dhe Arben Isaraj në Vlorë, ndërsa në Dibër kujdestar është Pandeli Majko. Shpëtim Idrizi do të ketë edhe qarkun kryesor dhe si detyrë pra do ketë organizimin elektoral në Tiranë.
Me dëshirë apo pa dëshirë, pavarësisht marrëdhënieve mes tyre, pjesa tjetër e deputetëve janë po aq të angazhuar sa edhe kujdestarët, veçse edhe këta të fundit janë nën kontrollin e kujdestarëve. Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, i ka paralajmëruar se rikonfigurimi i tyre si kandidatë për deputetë varet nga performanca e tyre në Parlament, por edhe nga puna me bazën socialiste.
Mes gjithë kësaj pune, Rama duket i tërhequr, pavarësisht se si shtabi qendror dhe kujdestarët, janë të detyruar që të raportojnë tek ai, për ta vënë në dijeni të problemeve dhe rezultateve.
Me dëshirë apo pa dëshirë, pavarësisht marrëdhënieve mes tyre, pjesa tjetër e deputetëve janë po aq të angazhuar sa edhe kujdestarët, veçse edhe këta të fundit janë nën kontrollin e kujdestarëve. Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, i ka paralajmëruar se rikonfigurimi i tyre si kandidatë për deputetë varet nga performanca e tyre në Parlament, por edhe nga puna me bazën socialiste.
Mes gjithë kësaj pune, Rama duket i tërhequr, pavarësisht se si shtabi qendror dhe kujdestarët, janë të detyruar që të raportojnë tek ai, për ta vënë në dijeni të problemeve dhe rezultateve.