E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani i rregullimit, prishen 100 ndërtime pa leje

SHKRUAN: Ervin Haruni 17-02-2011 10:41

VLORË- Bashkia e Vlorës në bashkëpunim me Inspektoriatin e Ndërtimit kanë nisur një aksion për prishjen e të gjitha objekteve të ndërtuara pa leje brenda blloqeve të banimit, në kuadër të rikonstruksionit të këtyre të fundit. Në një intervistë dhënë për gazetën, kreu i Inspektoriatit, Artur Selimi, ka bërë me dije se “prishjet e ndërtimeve janë pjesë e planit të masave për lançimin e të gjitha projekteve në lagjen ‘Isa Boletini’ dhe brenda kësaj jave do të mbarojmë të gjithë problematikën që ka projekti i këtij blloku banimi. Ne si Inspektoriat i Ndërtimit kemi filluar që dje dhe vazhdojmë e do të vazhdojmë përditë me prishjet e hapjen e shesheve të ndërtimit për rikonstruksionin e blloqeve të banimit në qytetin e Vlorës”. Sipas tij, deri tani janë prishur rreth 100 ndërtime pa leje të tipit garazhe, mure rrethues etj. “Kemi pasur mirëkuptimin e qytetarëve të Vlorës për këto prishje, duke i sensibilizuar ata se këto prishje bëhen për të mirë të komunitetit e për të mirë të tyre, për të bërë lagjet një model të qytetërimit europian me rrugë, trotuare, ndriçim e ambiente çlodhëse. Brenda muajit shkurt duhet të mbarojnë të tria, për t’i hapur kështu rrugë zbatimit të projekteve për rikonstruksionin e blloqeve të banimit. Projektet do të zbatohen në rrugën ‘Isa Boletini’, në lagjen ‘Pallatet e Gorishtit’ si dhe blloku i banimit te dykatëshet në lagjen ‘1Maji’ të qytetit të Vlorës. Ne si inspektoriat jemi në pritje të mbylljes së tenderimeve të blloqeve të tjera të banimeve në qytetin e Vlorës, për të filluar më pas për të ndërhyrë në të mirë të komunitetit për t’u hapur rrugë investimeve të bashkisë për rikonstruksionin e blloqeve të banimit”, ka vijuar më tej ai. Sipas Selimit, në buxhetin e këtij viti janë parashikuar 18 objekte rikonstruksion blloqesh banimi. Pak ditë më parë Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë së Vlorës, është shprehur se “buxheti i vitit 2011 i Bashkisë së Vlorës është një buxhet totalisht për qytetarët e për interesat e tyre”. Gjika është shprehur se këto blloqe banimi nuk bëhen në kuadër të fushatës, pasi disa prej tyre do të tenderohen në muajt në vijim, ndërkohë që disa të tjera nuk do të jenë gati për muajin maj, që është muaji i zgjedhjeve të pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›