Grabit shtëpinë e kunatit, katër persona bien në pranga
Durrës- Katër të rinj janë vënë në pranga, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një grabitje me armë. Hekuran Meta, 25 vjeç, e Ylber Çupi 23 vjeç, që të dy nga Manza e Durrësit, si dhe Ardian Çupi 23 vjeç e Riza Shera 18 vjeç, nga fshati Lis Burrel, janë autorët e grabitjes me armë të një çifti të moshuarish në fshatin Lalëz të komunës Ishëm. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, në banesën e shtetasit me iniciale R.Gj, banor i fshatit Lalëz, të cilit nën kërcënimin e armëve i kanë marrë plot 2 milionë lekë të reja. Personat e mësipërm e kanë kryer grabitjen rreth orës 19:30, por arratia e tyre nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë. Për kryerjen e kësaj grabitje, personat në fjalë kanë shfrytëzuar një lidhje miqësore që personi nga fshati Lalëz kishte me dy të rinjtë nga Manza. Bëhet fjalë për shtetasin Hekuran Meta, i cili ka orientuar më pas dy të rinjtë nga Burreli, se si duhet të vepronin për të kryer grabitjen. Për të humbur gjurmët, Hekuran Meta dhe Ylber Çupi, kanë kontaktuar me dy personat e tjerë nga Burreli. Në kohën që është kryer grabitja, të dy pleqtë kanë qenë të vetëm në shtëpi, pasi fëmijët e tyre gjenden jashtë shtetit. Në banesë janë futur në mbrëmje Ardian Çupi dhe Riza Shera, të cilët kanë qenë me maska dhe me armë. Nën kërcënimin e tyre, ata kanë mundur që shumë shpejt të gjejnë vendin ku ishte shuma e lekëve. Në një raft, ata kanë pasur një sasi të konsiderueshme lekësh dhe eurosh, të cilat në total arrijnë në 2 milionë lekë të reja. Pasi është marrë sasia e mësipërme, katër të rinjtë e kanë ndarë në mënyrë të barabartë shumën e grabitur dhe më pas janë larguar drejt banesave të tyre. Për ngjarjen në fjalë është bërë menjëherë denoncimi në komisariatin e policisë së Shijakut, i cili është vënë në lëvizje së bashku me strukturat e policisë kundër krimit ndaj pronës, në drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Pas hetimeve intensive, që janë zhvilluar nga efektivat policore të Shijakut, në bashkëpunim edhe me ato të drejtorisë së Matit, është zbuluar vendndodhja e autorëve, të cilët janë vënë në pranga në mesnatën e djeshme. Policia e Durrësit ka sekuestruar të gjithë sasinë e lekëve që u grabitën, dy armët, një automatik dhe një pushkë, një pistoletë dhe katër aparate telefonash celularë.