E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani për shpërndarjen e ndihmës ekonomik deri në vitin 2013

27/02/2009  Pritet shtimi i masës dhe kategorive përfituese të pagesës sociale

Shpërndarja e ndihmës ekonomike për familjet që nuk gëzojnë të ardhura deri në nivelin e varfërisë do të pësojë ndryshime të tjera jo vetëm në përcaktimin e masës së përfitimit, por edhe të kategorive që do të trajtohen me këtë pagesë nga shteti. Sipas programit të detajuar për ecurinë e skemës së NE-së, deri në vitin 2013 synohet që përfitues të kësaj shume sociale të jenë rreth 70 mijë familje në të gjithë vendin, shifër kjo që sot rezulton të jetë më shumë se 90 mijë përfitues. Ndërkohë është përcaktuar të shtohet edhe masa e përfitimit për të gjitha shtresat që do të përfshihen në të. Aktualisht në të gjitha njësitë vendore do të bëhet kontroll i listave të shpërndarjes së ndihmës, në mënyrë që të largohen nga skema të gjitha ato familje që përfitojnë pa plotësuar kriteret e përcaktuar në ligj. Prej verifikimeve të bëra nga inspektorët e SHSSH-së është pohuar se ende janë një numër i madh familjesh që bëjnë pjesë në këtë program social, por që në të vërtetë përfitojnë në mënyrë abuzive, pasi nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara sipas ligjit. Përkundrejt kësaj situate, po ushtrohet një kontroll i rreptë në të gjitha njësitë vendore për të larguar nga e drejta e përfitimit të gjitha kategoritë abuzive. Drejtori i Shërbimit Social Mihal Naço ka pohuar se kjo situatë ka ardhur për shkak të mangësive që sjell ligji, si dhe moszbatimi nga ana e njësive vendore të udhëzimeve të pushtetit qendror. “Kemi hequr nga skema e ndihmës ekonomike 5700 familje, të cilat përfitonin në mënyrë abuzive këtë pagesë sociale. Të gjitha njësitë vendore kanë probleme me pastërtinë e skemës së ndihmës ekonomike. Kjo ndodh sepse në pushtetin vendor masat që ne propozojmë nuk zbatohen, pasi ka një boshllëk ligjor ”, - ka pohuar Naço. Gjithashtu është parashikuar dhe rishikimi i kategorive që do të bëjnë pjesë në këtë skemë, ku pritet të shtohen edhe shtresa të tjera kategorish në nevojë, që nuk kanë përfituar asnjëherë më parë. Për kontrollimin e kësaj skeme është ngritur dhe një grup ndërministror me urdhër të Kryeministrit Berisha, që do të kontrollojë mbarëvajtjen dhe propozimet e bëra për ndryshimet që do të pësojë shpërndarja e ndihmës ekonomike.

Ecuria e skemës së ndihmës

Plani i shpërndarjes së pagesave sociale për kategoritë në nevojë përcakton se këto të fundit do të shërbejnë edhe në komunitet me pune të ndryshme, e cila do të jetë e detyrueshme, në të kundërt do të detyrohen që të largohen nga skema. Pas kontrolleve të bëra ka rezultuar se disa grupe në nevojë, që duhet të jenë pjesë e skemës, janë edhe fëmijët jetimë dhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e trajtimit. Njëkohësisht do të shtohen grupet që kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, duke qenë se prindërit nuk i kanë më në jetë. Njëkohësisht do të përfitojnë edhe ata fëmijë jetimë që kanë vetëm njërin nga prindërit, por ky është i dënuar për vepra penale si dhe në rastet kur i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate. Në skemë do të shtohen edhe rastet kur kryefamiljare është nëna, ndërsa prindi tjetër nuk jeton, si dhe grupi ku kryefamiljar është një pjesëtar i familjes që është mbi moshë pune e që nuk përfiton pension, ashtu si dhe pjesa tjetër e familjes.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›