E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e konsumit u rritën me 0.9 për qind në shtator

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 0.9 për qind gjatë muajit shtator, duke shënuar rritjen e dytë radhazi si dhe ritmin më të lartë të rritjes së shënuar që nga dhjetori i vitit 2008, deklaroi dje Instituti i Statistikave. Efekti sezonal (mbarimi i prodhimeve bujqësore vendëse të verës) dha ndikimin më të madh në rritje, por gjatë shtatorit u vu re edhe rritja e çmimeve të mallrave të importuara, si pasojë e zhvlerësimit të lekut.

"Indeksi i grupit Ushqime dhe Pije joalkoolike shënoi një rritje prej 1.7 për qind, me një ndikim prej 0.7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 6.9 për qind vërehet në nëngrupin Zarzavate, përfshirë Patatet", deklaroi INSTAT.

"Indeksi i grupit Pije alkoolike dhe duhan shënoi një rritje prej 0.6 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.3 për qind. Indeksi i grupit Transport shënoi një rritje prej 0.9 për qind. Gjatë muajit shtator, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.2 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.3 për qind," tha INSTAT. Këto ndryshime lidhen veçanërisht me dobësimin e lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimet në kursin e këmbimit pasqyrohen në masën 99 për qind në çmimet e mallrave të konsumit brenda 9 muajve.

Gjatë shtatorit qenë në rritje edhe çmimet që mbikëqyren nga qeveria. "Indeksi i grupit Argëtim dhe Kulturë shënoi një rritje prej 0.8 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të teksteve shkollore me 3.4 për qind", njoftoi INSTAT. Procesi i frangmetarizimit të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar gjatë viteve të fundit është shoqëruar me përgjysmimin e subvencionit të qeverisë për këtë sektor e për pasojë me dyfishimin e çmimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›