E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pas rrugës, dua edhe hekurudhë me Kosovën"

Kryeministrit Berisha duket se nuk i mjafton rruga Rrëshen-Kalimash që po kushton 1 miliard euro dhe po rrezikon stabilitetin makroekonomik të vendit. Dje, pasi u kthye nga vizita e parë në Kosovë, që kur Kosova shpalli pavarësinë dy vite e gjysmë më parë, Kryeministri Sali Berisha urdhëroi fillimin e përgatitjeve edhe për një linjë hekurudhore. Sipas tij, rruga aktuale "është e pamjaftueshme." Segmenti Rrëshen-Kalimash-Morinë me katër korsi ka kapacitet për mbi 20 mijë makina në ditë, por aktualisht përdoret mesatarisht nga 2-3 mijë makina në ditë.

"Kosova është një vend në ndërtim dhe me gjallëri të pamohueshme, me dinamizëm ekonomik, por për fat të keq në krahun verior të saj është e bllokuar, sepse nuk zbatohet marrëveshja e tregtisë së lirë. Kështu që autostrada ka dhënë një frymëmarrje të madhe", tha Berisha, i cili nuk tregoi se sa është numri i mjeteve që po qarkullojnë aktualisht në aksin e ri Rrëshen-Kalimash dhe se sa është volumi i mallrave.

"Dhe meqenëse jam në fushën e transportit, zoti ministër i Punëve Publike do të ndërmarrësh menjëherë e do të përzgjedhësh kompaninë e konsulencës për të bërë fizibilitetin për hekurudhën", vijoi Berisha, ndërsa fliste në fillim të mbledhjes së qeverisë. Ideja e projektimit të një linje hekurudhore krahas segmentit të ri Rrëshen-Kalimash qe hedhur që në vitin 2006 nga inxhinierët që u tërhoqën nga procedurat e prokurimit të rrugës kur nuk kuptuan formulën. Arsyeja është shumë e thjeshtë: nëse synimi është transporti i mallrave, hekurudha është një lloj transporti që kushton shumë më lirë si në kosto ndërtimi, ashtu edhe në kosto operacionale.

"Bashkë me projektin e rrugës duhet të ideohet edhe traseja ku do të kalojë hekurudha", shkruante njëri nga inxhinierët në atë kohë. Por rruga u prokurua pa projekt.

"Hekurudha me Kosovën është lidhja më me interes për portet shqiptare, sepse lidhet me Serbinë dhe ecën drejt Europës Qendrore", tha Berisha dje.

Kryeministri e di se vendi ynë e ka një lidhje hekurudhore ndërkombëtare, por nuk hyn në shpjegime se pse kjo linjë aktualisht është shumë e pazhvilluar.

"Ne e kemi lidhjen hekurudhore me Malin e Zi, do ta plotësojmë edhe me Maqedoninë, e cila do të përbëjë një lidhje lindore shumë të rëndësishme. Ne do ta finalizojmë këtë lidhje në 3-4 kilometrat që kanë mbetur dhe do t‘i shtrijmë shinat deri në kufi", tha Kryeministri për lidhjen hekurudhore.

Por nuk ka para

Kryeministri dha dje shenjat e para se e ka kuptuar koston e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe barrën që kjo rrugë i ka ngarkuar Shqipërisë për vitet e ardhshme.

"Ne do shohim se nga do të dalë fizibiliteti, nga Miloti drejt Prizrenit, apo nga Vau i Dejës drejt Gjakovës. Por ky studim duhet të fillojë menjëherë. Pas studimit fillon projekti. Unë nuk mund të them se ndërtimi i saj do të fillojë gjatë këtij mandati, por të jetë gati për mandatin tjetër", tha ai. Kësaj here Berisha thotë se do të hartojë projektin, pastaj do të kontraktojë punimet. Mungesa e projektit në rrugën e Kukësit bëri që kostoja të dyfishohej nga 418 milionë euro që qe vlerësuar fillimisht në mbi 800-900 milionë euro që ka kushtuar deri tani.

Shqipëria ka marrë rreth 450 milionë euro kredi vetëm për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, borxhe që do të shlyhen gjatë viteve të ardhshme. Njëra prej kredive, prej 200 milionë eurosh dhe me interes prej 11 për qind në vit, do të maturohet në vitin 2013. Për pasojë, kapaciteti i buxhetit të shtetit për të investuar në projekte të rëndësishme për vitet e ardhshme pritet të jetë shumë i vogël. Banka e Shqipërisë ka këshilluar qeverinë të hartojë një plan rezervë dhe të përgatitet për shlyerjen e kredisë që maturohet në vitin 2012, në mënyrë që të shmangë luhatje të forta në bilancin valutor të vendit, luhatje që mund të rrëzojnë lekun. Plani aktual i qeverisë është që të presë stabilizimin e tregjeve financiare ndërkombëtare për ta riskeduluar kredinë trevjeçare me fonde afatgjata në euro, por BSH druan se ky skenar mund të mos jetë realist.

Kryeministri thotë se nëse një projekt për hekurudhë me Kosovën del me leverdi, punimet ndoshta do të nisin "gjatë mandatit të tretë".

Ndërtimi i një linje të tillë duket se është edhe i palogjikshëm, për shkak se Shqipëria e ka një linjë hekurudhore që e lidh me Kosovën përmes Malit të Zi dhe që aktualisht nuk përdoret, sepse mes dy vendeve nuk ka volum qarkullimi mallrash.

"Nuk mund të them se do fillojë me buxhetin e këtij mandati, pasi projektet e këtyre katër viteve janë të përcaktuara, por le ta kemi gati se në rast se nuk fillohet në këtë mandat, ky të jetë projekti i parë që fillohet në mandatin 2013-2017", tha Kryeministri.

Lidhja me Portin e Vlorës

Kryeministri thotë se për rrugën e ndërtuar me Kosovën dhe për hekurudhën e ideuar do të shërbejë Porti i Vlorës. Qeveria ka nënshkruar një kontratë koncesionare me një kompani të vockël të regjistruar në Zvicër me kapital themeltar prej 200 mijë frangash zvicerane dhe që ka marrë përsipër të ndërtojë atë që Kryeministri e quan "porti më i madh në Mesdhe", një projekt që kërkon miliarda euro.

"E theksoj se hekurudha është jashtëzakonisht e rëndësishme. Transporti rrugor është i pamjaftueshëm dhe transporti me kontejner, për shkak të përmasave që do të marrë Porti i Vlorës që në projekt-idenë e tij do të jetë porti më i madh i kontejnerëve në Mesdhe, ka kusht jetik transportin hekurudhor. Në këtë kontekst, edhe linja Tiranë-Vlorë duhet të ristrukturohet, në funksion të Portit të Vlorës", tha Berisha dje.

Dy vite më parë qeveria hyri në bisedime me disa kompani të vogla që shprehën interes për të marrë me koncesion rrjetin hekurudhor shqiptar. Por vetë zyrtarë të Ministrisë së Transporteve deklaruan pak kohë më parë se këto kompani qenë tërhequr nga negociatat.

Gjatë katër viteve të fundit, Kryeministri Berisha ka folur për dhjetëra projekte gjigande, ku secili mbartte miliarda euro investime. Shumë prej këtyre projekteve janë harruar sakaq. Investitorët që nuk i njihte askush janë zhdukur në drejtim të paditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›