Basha: Pasaportat biometrike, kemi 220 mijë aplikime
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, zhvilloi dje një vizitë në Qendrën e Personalizimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike. Përfaqësuesit e "Aleat" informuan ministrin Basha mbi ecurinë e deritanishme të procesit dhe treguesit kryesorë të aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. Duke vlerësuar faktin se brenda një periudhe të shkurtër që nga fillimi i procesit numërohen afro 220 mijë aplikime për pasaporta biometrike, 208 mijë prej të cilave tashmë janë prodhuar, ministri Basha u shpreh se shpejtësia e këtij procesi është më e larta ndër vendet e rajonit. Ministri i Brendshëm u bëri thirrje ndërkohë të gjithë qytetarëve shqiptarë të aplikojnë sa më parë për pasaportë biometrike. "Investimi në një pasaportë biometrike është investimi më i sigurt për lëvizjen pa viza individualisht, si dhe për të gjithë bashkëqytetarët shqiptarë", tha Basha.