E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planifikon të ardhmen

Prej 7 deri më 11 korrik në Prishtinë do të mbahet kampi edukativ për futbollistët kosovarë të grupmoshës U-15.

Ideator i këtij projekti është selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, i cili të premten e ka mbajtur një konferencë për media në kryeqytet, bashkërisht me zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku shpalosi plan-programin e tij në bazë të të cilit edhe do të punohet në këtë kamp.

Bunjaku pohoi se rëndësia e këtij kampi është shumë e madhe, pasi këtë gjeneratë të futbollistëve ai e quajti bazë të fortë që shërben për ndërtimin e një reprezentacioni të fortë të Kosovës.

Trajneri kosovar tregoi se kamp të tilla me seriozitet të madh organizohen edhe në Suedi, Angli dhe shtete tjera evropiane.

Ai pohoi se tashmë janë përzgjedhur 144 futbollistë nga shtatë regjionet e Kosovës që do të tubohen në kampin e muajit korrik. Po ashtu, në kamp do të ketë me dhjetëra trajnerë dhe shumë punëtorë të tjerë.

Bunjaku tha se përzgjedhja e futbollistëve për pjesëmarrje në kamp nuk është bërë nga trajnerët, por është kërkuar nga vetë klubet t’i përzgjedhin 3 deri në 5 lojtarë për pjesëmarrje në këtë tubim. Me këtë rast, selektori nuk e përjashtoi mundësinë që klubet ta kenë dërguar ndonjë lojtar ‘me të njohshëm’, përkatësisht pa meritë.

“Mund të ketë ndodhë që një klub i ka dërguar katër lojtarë që e kanë merituar, kurse një e kanë futur në atë mënyrë. Kjo është e rëndomtë, madje edhe në Suedi ndodh ashtu, Angli por edhe në vende tjera. Por, kjo eliminohet gradualisht gjatë zhvillimit të proceseve në kamp”, deklaroi Bunjaku.

Ai tregoi se brenda një dite futbollistët e grumbulluar të ndarë në ekipe do t’i mbajnë nga dy ligjërata, do ta zhvillojnë nga një seancë stërvitore dhe do ta zhvillojnë nga një ndeshje.

Kështu, në fund do të luhet ndeshja finale mes dy ekipeve më të mira, pikërisht në të njëjtën ditë kur edhe zhvillohet finalja e Kampionatit Botëror. Sipas tij, qëllimi është që prej atyre 144 futbollistëve të grumbulluar, në fund do të seleksionohen 36 më të mirë, të cilët edhe do ta përbëjnë përfaqësuesen U-15 të Kosovës.

Grumbullime të tilla pritet të mbahen çdo vit, me ç’rast ekipi U-15 çdo herë mund të ketë ndryshime në përbërje.

Kjo iniciativë e Bunjakut është vlerësuar lart edhe nga drejtuesit e FFK-së. Kryetari i saj, Fadil Vokrri, shfrytëzoi këtë konferencë për ta prezantuar edhe zyrtarisht selektoren e përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija, e cila u shpreh të jetë e nderuar me këtë rast.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›