E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramaj fiton Ligën e Kampionëve

Pasi ka fituar titullin e kampionit të Gjermanisë me Turbine Potsdam, Fatmire Bajramaj ka arritur ta fitojë edhe një trofe shumë të çmueshëm. Ajo me skuadrën gjermane ka fituar Ligën e Kampionëve, pasi në finale mposhtën Lyonin pas ekzekutimit të penalltive (7:6).

Futbollistja kosovare të enjten mbrëma e ka shijuar për herë të parë edhe trofeun më të çmuar të ligës më prestigjioze evropiane, të cilin e kishte ëndërruar që një kohë të gjatë. Për Fatmiren ky është njëri ndër trofetë më të çmuar deri më tani.

“Është një nga titujt më të bukur që kam fituar”, ka thënë reprezentuesja e përfaqësueses së Gjermanisë për ueb faqen zyrtare të UEFA’s (www.uefa.com).

Sipas Bajramajt, triumfi i Turbinë Potsdam në finale të Ligës së Kampionëve ka ardhur pas një pune dhe angazhimi të madh nga gjithë ekipi gjerman.

"Është një nga titujt më të bukur që kam fituar, sepse kemi punuar shumë për të arritur këtu. Ky me të vërtetë është një shpërblim i madh, pas sakrificave që kemi bërë”, ka theksuar ajo

“Unë isha takuar me Lyonin edhe vitin e kaluar sa ishte te Duisburg. Ato me meritë kanë arritur në finale dhe janë njëri ndër ekipet me të forta në Evropë dhe për atë arsye ka qenë një përballje e fortë”, u shpreh Bajramaj.

Pas 120 minutave lojë ndeshja përfundoi baras dhe duhej të ekzekutoheshin penalltitë për t’u mësuar emiri i fituesit. Lyon ishte në përparësi prej dy golave, por portierja e shpëtoi Potsdam me dy pritje, duke i mundësuar ekipit të kalojë në epërsi dhe të fitojë.

"Unë nuk mund të shpjegoj me fjalë atë që ndodhi. Kur portieri jonë priti penalltinë e parë, unë mendova se ne mund të bëjmë diçka. Ndërsa kur priti edhe gjatjen e dytë, atëherë isha e sigurt se ne do të fitojmë”, ka përfunduar kosovarja me pasaportë gjermane.

Bajramaj verën e vitit të kaluar nga Duisburg u transferua te Turbine Potsdam, me të cilin klub në vitin e parë fitoi titullin e kampionit të Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve. Ndërsa vitin e kaluar ajo me Duisburgun fitoi Kupën UEFA.

Mirëpo, këto nuk janë trofetë e vetëm të 23 vjeçares. Fatmire Bajramaj ka fituar titullin e kampionit të Botës dhe atë të Evropës me përfaqësuesen e Gjermanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›