E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi për përmbytjet, skema se si do të bëhet kompensimi nga qeveria

Ervin KOÇI

Menjëherë pas normalizimit të situatës në disa prej zonave të përmbytura në veri-perëndim të vendit, specialistët e Ministrisë së Financave kanë nisur me evidentimin dhe përllogaritjen e dëmeve materiale. Sipas të dhënave nga Financat, qeveria shqiptare është në hapat e fundit të hartimit të vendimit, i cili do të përcaktojë me hollësi mënyrën sesi do të kompensohen banorët e dëmtuar nga përmbytja, për shkak të shkarkimit të ujërave nga kaskada e Drinit. Grupi i ekspertëve do të ketë përfaqësues nga të gjitha ministritë dhe për këtë qëllim do të ngrihet edhe një fond i veçantë në buxhetin e shtetit, njoftojnë burimet nga Ministria e Financave. Sot ndërkohë pritet që qeveria të diskutojë në mbledhjen e saj të radhës atë çka ekspertët janë duke përpunuar në lidhje me dëmet e përmbytjeve. Sipas grupit të punës, ende janë në diskutim procedurat dhe referencat ligjore për dëmshpërblimin e banorëve, për draftin e të cilit po punohet. Hapi i parë i punës është evidentimi i të gjitha dëmeve, sipas një formulari “tip”, në ndërtesa banimi, objekte biznesi, objekte sociale dhe publike, orendive dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, të dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, gjësë së gjallë dhe ushqimit të tyre. Hapi i dytë është dërgimi i formularit pranë Komitetit Ndërministror, bashkë me listën emërore të pronareve të banesave apo objekteve të tjera, shoqëruar me certifikatën e kryefamiljarit dhe dokumentin e identifikimit.

Vlerësimi i dëmeve

Sipas draftit që po punohet, në procesin e vlerësimit përfundimtar do të marrin pjesë edhe specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Për shtëpitë e dëmtuara vlerësimi do të bëhet sipas kostove të ndërtimit të përcaktuara nga Enti i Banesave, e cila për qytetin e Shkodrës është rreth 26 mijë lekë për metër katror. Për objektet e ndërtimit me karakter bujqësor, si stalla, hangare etj, kostoja e dëmshpërblimit llogaritet në 5 mijë lekë për metër katror. Për kategoritë e tjera të dëmtimeve në objekte banimi, sociale, publike, llogaritja do të bëhet sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave për qytetin e Shkodrës. Vlerësimi i dëmeve në makineri dhe pajisje të dëmtuara do të kryhet në përputhje me dokumentacionin e depozituar pranë organeve tatimore dhe doganore. Dëmet e shkaktuara në bazën ushqimore, koncentrate, sane, etj, do të llogariten me çmimin e tregut. Me çmimet e tregut të marrë nga Ministria e Bujqësisë do të vlerësohen edhe dëmet e shkaktuara në gjënë e gjallë. Vendimi që po përgatitet nga qeveria bën vlerësim edhe për pajisjet elektro-shtëpiake, mbështetur mbi konstatimin e kryer në vend nga grupi i evidentimit mbi rregullsinë ose jo të tyre, sipas çmimit aktual të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ndërsa për orenditë dhe mobiliet është ende në diskutim vlera e dëmshpërblimit. Një opsion është 50 mijë lekë për frymë, por jo më pak se 200 mijë lekë për familje.

Fondi i kompensimit

Në fondin e veçantë të Financave, do të përfshihen fondet e buxhetit të shtetit të parashikuara në fondin rezervë dhe ndihmat që qeveria dhe institucione të ndryshme kanë dhënë për përballimin e situatës. Qeveria dhe Ministria e Financave, ende nuk kanë një faturë për dëmet e krijuar në zonë. Por ministri i Financave pak ditë më parë në Shkodër, ka garantuar se qeveria do të kompensojë me drejtësi dhe transparencë të gjitha dëmet që iu janë krijuar familjeve dhe bizneseve të zonës. Sipas ministrit, “me ngritjen e një fondi operacional, çdo ditë do të plotësojmë të gjitha nevojat, jo vetëm për banorët por edhe për bagëtinë në këto zona, pasi ky izolim mund të zgjasë”. Kreu i Financave, ka dhënë garancinë se qeveria shqiptare do të përballojë çdo nevojë që kanë këto zona, për të siguruar funksionimin normal, brenda këtij anormaliteti, si për njerëzit ashtu dhe për bagëtinë. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit, ka lëvruar në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës një sasi të konsiderueshme mallrash rezervë nga materialet shtetërore.

Konfindustria: Qeveria të tregojë kujdes me dëmshpërblimin e të përmbyturve

Konfindustria i ka kërkuar qeverisë shqiptare përmes një deklarate për shtyp, që ajo të jetë e përmbajtur në ndërtimin e faturës financiare për dëmshpërblim të pasojave të përmbytjeve. “Qeveria duhet të shkëputet nga veprimet me natyrë të pastër populiste, që dëmtojnë në thelb zhvillimin ekonomik të vendit dhe interesat publike në afatgjatë”, thuhet në këtë deklaratë. Më tej, drejtuesit e Konfindustrias vlerësojnë se çdo përfshirje në faturën e dëmshpërblimeve të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme përveç shpërdorimit të parave publike do të shërbente për të nxitur edhe më tej dukurinë shkatërrimtare të ndërtimeve të paligjshme, në zona të rrezikuara si dhe përsëritjen e fatkeqësive në të ardhmen. “Konfindustria shpreh qëndrimin e saj për dëmshpërblim të plotë të pasurive bujqësore dhe blegtorale të popullsisë së dëmtuar në zonat e përmbytjeve përfshi edhe vlerën e dëmtimit në banesat e ndërtuara në mënyrë të ligjshme si dhe në zona të klasifikuara jo të rrezikuara në kushte normale”,- citohet më tej. “Keqadministrimi dhe moskontrolli skajor i territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standardeve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim bëjnë, që fatura financiare të rëndohet në mënyrë të papranueshme.
Sipas të dhënave bëhet fjalë për mbi 60% të ndërtimeve të përmbytura në zonën e Nën-Shkodrës dhe bregdetit të Lezhës të ndërtuara në mënyrë të paligjshme dhe në zona historikisht të rrezikuara”,- përfundon deklarata e Konfindustrias.

Komitetit Ndërministror: Në qarkun e Shkodrës përgjysmohet harta e përmbytjeve

Tkurret ndjeshëm harta e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës. Shifrat tregojnë se dje kjo sipërfaqe është përgjysmuar. Nga 11 mijë ha tokë që pak ditë më parë ishte raportuar nën ujë, dje ato llogariteshin në 5234 ha tokë. Ministria e Brendshme publikon dje shifrat e sipërfaqes së tokës të përmbytur në bazë të raportimeve të kryetarëve të njësive vendore dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë. Sipas informacionit, në disa zona ku uji është larguar banorët janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ndërkohë kanë mbetur ende në evakuim 1795 persona, 593 shtëpi janë ende të përmbytura, ndërsa 450 të tjera janë të rrethuara nga uji. Të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave të prekura nga përmbytja janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve. Përjashtim bën aksi rrugor drejt fshatit Obot në Komunën Ana e Malit, si dhe aksi rrugor drejt Velipojës tek Ura e Gjo Lulit, e cila kalohet vetëm me mjete të rënda. Procesi mësimor ka filluar dhe vijon normalisht në të gjitha shkollat në zonat e prekura nga përmbytja. Ministria informon se në të gjithë zonën e prekur nga përmbytja nuk ka rritje të sëmundshmërisë. Shërbimi shëndetësor ofrohet në të gjitha qendrat shëndetësore. Ndërkohë po kryhet monitorim intensiv i situatës nga Drejtoria Rajonale e Shëndetësisë dhe nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Posaçërisht për ujin e pijshëm janë 22 pika të kontrollit të cilësisë. Vijon gjithashtu edhe dezinfektimi i sistemit të ujësjellës kanalizimeve. Në bazë të detyrave të përcaktuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile dje vijuan operacionet për shpërndarjen e ndihmave, kujdesin ndaj banorëve të evakuuar dhe puna për përforcimin e argjinaturave. “Konkretisht gjatë ditës së sotme në të gjithë komunat po dërgohen pako me ndihma dhe mallra të ndryshme ushqimore, ujë të pijshëm dhe koncentrat e bar të thatë për bagëtitë”,- thuhet në njoftimin për shtyp. Strukturat e Forcave të Armatosura, Bordit të Kullimit dhe Komunës Dajç, vazhdojnë punimet për riparimin dhe mbushjen me thasë rëre të argjinaturës së Dajçit, në pikat e Samrishtit, Darragjatit, Shirqit. Për banorët përballja me dëmet e shkaktuara në banesa është e vështirë. Uji u ka shkatërruar pothuajse gjithçka, duke filluar nga themelet, muret dhe çdo pajisje tjetër qoftë elektro-shtëpiake apo jo, që ndodhej në banesat e tyre është shkatërruar.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›