E Diel, 1 Nëntor 2026

Beqja: “Berisha të heqë dorë nga selektiviteti politik në dhënien e ndihmave”

Pas dëmit nga përmbytjet në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës, Partia Socialiste i bën apel qeverisë të marrë masa të menjëhershme dhe konkrete. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, theksoi se maxhoranca duhet të njihet me vlerësimin e dëmit, të cilin ende nuk e ka bërë. Një ndër masat që qeveria duhet të marrë, sipas deputetit Beqja, është të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin. Në bazë të konstatimeve, Beqja i ka kërkuar qeverisë të heqë dorë urgjentisht nga selektiviteti politik në dhënien e ndihmave. Beqja nuk ka ngurruar të komentojë edhe fjalimin e kryeministrit Sali Berisha në seancën e jashtëzakonshme të zhvilluar dy ditë më parë në Kuvend, duke e vlerësuar deklaratat e tij “të gënjeshtërta”. Në kuadrin e përmbytjeve dhe dëmeve pafund, deputeti Beqja vuri në dukje se gjatë seancës së jashtëzakonshme, kryeministri Berisha dhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, nuk kërkuan falje dhe nuk shfaqën asnjë shenjë përgjegjësie për dëmin që shkaktuan.
Deklarata
Në pikëpamjen e deputetit të PS-së, Beqja, zhvillimi i seancës së jashtëzakonshme për gjendjen emergjente në Veri të vendit pati për qëllim të lartësohej puna e qeverisë para opinionit publik, duke shmangur përgjegjësinë e korrupsionit qeveritar.
“Një seancë plenare të parashikuar në Nenin 74 të Kushtetutës, por që fatkeqësisht pati si qëllimin e saj të vetëm gënjeshtrën dhe ngritjen në qiell të punës së qeverisë ‘Berisha’, e cila, falë korrupsionit dhe paaftësisë së saj, ia doli me sukses të mbytë me mijëra hektarë tokë, të shkatërrojë me mijëra shtëpi e të rrënojë mundin e punën e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh Beqja. Ai i ka cilësuar fjalimet e qeveritarëve fjalime mediokre dhe ka nënvizuar se asnjë prej tyre nuk kërkoi falje për katastrofën që krijuan. “Në orë të tëra ligjëratash e fjalimesh mediokre, duke filluar që nga Sali Berisha, Jozefina Topalli, ministri i Energjetikës e gjithë të tjerët, nuk dëgjuam një fjalë të vetme mbi masat konkrete që do të merren për të përballuar situatën e krijuar në Shkodër e për të ndihmuar ata fatkeq që gjenden sot në ditë të hallit. Dhe ç’është më e turpshmja, nuk dëgjuam dje asnjë grimë kërkesë faljeje apo makar një marrje përgjegjësie nga autorët e kësaj katastrofe. Sepse për këtë maxhorancë, perëndia mund të gabojë, por Sali Berisha e Dritan Prifti jo”, - deklaroi Beqja.
Masat
Partia Socialiste thekson se qeveria duhet të marrë masa urgjentisht për t’i dhënë zgjidhje dëmit dhe të bëjë vlerësimin e tij. “Ende nuk janë mbledhur këshillat bashkiakë e komunalë të zonave të përmbytura ku Partia Demokratike ka shumicën dhe ku ende nuk ka filluar vlerësimi i dëmeve. Jo vetëm kaq, por pikërisht në momentin kur mblidhte Komitetin Ndërministror të Emergjencës, Sali Berisha miratonte buxhetin afatmesëm 2011 - 2013, në të cilin nuk reflektohet aspak kriza ekonomike, por as kriza e përmbytjeve”, - tha deputeti Beqja. Sipas deputetit socialist, qeveria duhet të fillojë menjëherë me vlerësimin e dëmeve me ekipe profesionistësh të përbërë nga inxhinierë ndërtimi për vlerësimin e banesave, agronomë për vlerësimin e dëmeve në të mbjella, veterinerë në vlerësimin e dëmeve në gjënë e gjallë dhe zooteknikë në vlerësimin e dëmeve të bazës ushqimore. Gjithashtu, Beqja thekson se qeveria duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme në ligjin e buxhetit të shtetit për të siguruar fondet për dëmshpërblimin, të fillojë asistencën e menjëhershme financiare për familjet që tash e dy javë nuk kanë më asnjë mundësi të gjenerojnë të ardhura.

Ahmetaj: “Maxhoranca mashtroi për nivelin e reshjeve të shiut”

Partia Socialiste ripërsërit faktin se përmbytjet në Veri erdhën si pasojë keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë. Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, e kanë cilësuar situatën e përmbytjeve një katastrofë natyrore, e cila ndodh një herë në 100 vjet, por në bazë të konstatimit që solli deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj, dje në një komunikim për mediat, bie poshtë, sipas tij, vlerësimi i qeveritarëve. Ahmetaj i është referuar rregullores së digave, e cila sqaron se niveli i prurjeve maksimale në kuotat 4365 metra kub në sekondë, që mund të sjellë katastrofën e përmbytjes një herë në 100 vjet. Ndërsa në Shkodër, sipas tij, niveli i prurjeve në kaskadën e Drinit ishte vetëm 1800 metra kub në sekondë.
Deklarata
Në bazë të fakteve që sjell deputeti i PS-së, Ahmetaj, autoritetet përgjegjëse kanë dështuar në zbatimin e rregullores së menaxhimit të digave, duke sjellë si pasojë situatën e përmbytjeve në Veri. Ai e ka cilësuar alibinë e Berishës, se kjo katastrofë ndodh një herë në 100 vjet, si gënjeshtrën e radhës. “Ka qenë papërgjegjshmëria dhe paaftësia në menaxhim që solli për pasojë katastrofën, duke përmbytur mijëra hektarë tokë, duke lenë qindra familje pa shtëpi, të mbjella apo gjë të gjallë. Sot duam të ndalemi dhe t’u faktojmë shqiptarëve pse edhe alibia e fundit e kryeministrit se kjo katastrofë ndodh një herë në 100 vjet është gënjeshtra e radhës”, - deklaroi deputeti Ahmetaj.
Rregullorja
Opozita, ndryshe nga kryeministri dhe ministri Prifti, i është referuar rregullores së digave, pasi në këndvështrimin e saj, beson se hartuesit e kësaj rregulloreje, të cilët janë njëkohësisht dhe projektuesit dhe ndërtuesit e kaskadës së Drinit, kanë parashikuar të gjitha hapat e domosdoshëm që duhen marrë për të shmangur raste të përmbytjeve të mundshme si kjo e fundit në Veri. Sipas të dhënave zyrtare që deklaron deputeti Ahmetaj, prurjet maksimale në Fierzë arritën në nivelin e 1800 metra kub në sekondë, të cilat përmbytën zona të Shkodrës dhe Lezhës. Ahmetaj deklaron se në rregulloren mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet e lumit Drin, faqe 34, pika 11.1.4, parashikohet niveli i prurjeve maksimale në kuotat 4365 metra kub në sekondë, e cila mund të sjellë katastrofën një herë në 100 vjet. “Kjo është dukuria e rrallë që parashikon rregullorja, e cila mund të sjellë pasoja emergjence, pavarësisht menaxhimit. Pra 4365 dhe jo 1800 metra kub në sekondë është prurja që ndodh një herë në njëqind vjet, parashikuar edhe në rregulloren e cituar më lart. Prurja e parashikuar një herë në 100 vjet është 2.4 herë më e lartë se ajo që përmbyti Shkodrën”, - u shpreh Ahmetaj. Duke iu referuar rregullores, Ahmetaj sqaroi se edhe në nivelin maksimal 4365 metra kub në sekondë, rregullorja parashikon se me një zbatim të përpiktë të saj dhe një menaxhim të përgjegjshëm sekondë pas sekonde situata mund të shmanget apo të zbutet dëmi dhe përmbytja. “Pra jo vetëm prurjet prej 1800 metrash kub në sekondë janë shumë larg fenomenit një herë në njëqind vjet, por në historinë e 30 vjetëve të fundit prurje në nivelin e 1800 m/kub në sekondë janë të pranishme edhe një herë në dy vjet, duke përjashtuar vitet e thata”, - përfundoi deputeti Ahmetaj.

20 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›