Raporti i KE-së: “Të hetohen zgjedhjet, opozita të hyjë në Kuvend”
Bojkoti, më 29 janar Këshilli i Europës diskuton krizën politike në Shqipëri
Eljona Ballhysa
Dy raporterët e Asamblesë së Këshillit të Europës, Jako Laakso dhe David Wilshire, kanë hartuar një raport mbi situatën në Shqipëri pas monitorimit që kanë bërë gjatë vizitës së zhvilluar në Shqipëri në fund të muajit nëntor. Në këtë raport, që do të diskutohet më 28 janar nga Asambleja e Këshillit të Europës, u bëhet thirrje përfaqësuesve politikë në Shqipëri që të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend. KE sugjeron maxhorancën qeverisëse që të ngrejë sa më parë një komision të posaçëm parlamentar për hetimin e procesit zgjedhor, ndërsa opozita t’i japë fund bojkotit dhe të futet në Parlament. Në këtë raport theksohet se situata politike në Shqipëri, mungesa e opozitës në Kuvend ka sjellë jo vetëm një krizë politike dhe institucionale, por edhe bllokim të progresit të Shqipërisë në proceset integruese. Raporterët i bëjnë thirrje Presidentit të Republikës që të luajë rolin që i takon për të ndërmjetësuar dialogun politik midis palëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje ligjore për t’i dhënë fund krizës politike në vend. Në fund të raportit bëhet e ditur se përfaqësues nga Këshilli i Europës do të vizitojnë Shqipërinë në fund të muajit janar ose në fillim të muajit të ardhshëm, në mënyrë që të nxisin organizimin e një tryeze të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha partive politike në Shqipëri, për t’i hapur rrugën dialogut parlamentar.
Raporti
Raporti që mban titullin “Për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri”, është hartuar nga bashkëraporterët Jaakko Laakso nga Finlanda, përfaqësues i grupit të majtë në Asamble, dhe David Wilshire, nga Mbretëria e Bashkuar, përfaqësues i grupit të djathtë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Komiteti Monitorues u bën thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës që t’i japin fund krizës aktuale politike dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë në mënyrë që të vazhdojnë me reformat vitale. Qeveria duhet të ngrejë menjëherë, pa vonesë, një komision parlamentar që të hetojë zgjedhjet e 2009-s dhe opozita duhet të kthehet në Kuvend për të marrë pjesë në punimet e tij. Autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë paketën ligjore për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Në këtë kuadër, presidenti Topi duhet të luajë rolin e tij të negociatorit dhe të ndihmojë t’i jepet fund bojkotit që është bazuar në mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Komiteti i Monitorimit propozon që anëtarë të Asamblesë të vizitojnë sa më shpejt Shqipërinë, pas sesionit dimëror parlamentar të Asamblesë”, - shkruhet që në pjesën e parë të raportit.
Draft-rezoluta
Më tej në këtë raport shkruhet se “Asambleja Parlamentare vëren me keqardhje se kriza politike dhe institucionale që ka paralizuar politikën në Shqipëri ka ardhur pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009, kur PS-ja vendosi të bojkotonte Parlamentin duke kontestuar legjitimitetin politik të qeverisë së PD-së. Në një parlament ku maxhoranca qeverisëse nuk ka 3/5 e votave, të nevojshme për të kaluar reformat e mëdha konstitucionale, ky bojkot e bën të pamundur ndërmarrjen e reformave. Kjo situatë dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tij për integrimin europian”, - theksohet në raport. Asambleja e KE-së më tej shpreh keqardhjen se ky bojkot ka dëmtuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Asamblesë. “Pas zgjedhjeve, asnjë delegacion i ri nuk është përcaktuar dhe anëtarët e opozitës së delegacionit të vjetër nuk marrin më pjesë në aktivitetet e Asamblesë”, - shkruhet në raport. “Asambleja vëren se mungesa e dialogut parlamentar dhe vazhdimi i bojkotit është një problem i përsëritur në Shqipëri, gjë që dëmton seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore. Asambleja vëren me keqardhje se në mungesë të një dialogu parlamentar, retorika e zjarrtë po përdoret gjerësisht nga të gjithë përfaqësuesit politikë të përfshirë në debat, gjë që mund të sjellë destabilizim të mëtejshëm në vend”, - shkruhet në raportin që do të diskutohet së shpejti në KE.
Në raport theksohet se progresi i vendit drejt integrimit europian është bllokuar. Është thelbësor fakti se Shqipëria, ndryshe nga tre fqinjët e saj, nuk është kualifikuar ende për liberalizimin e vizave. Më tej shkruhet se Asambleja shpreh gatishmërinë e saj për të organizuar një tryezë diskutimi për të arritur një zgjidhje në Shqipëri dhe për të punuar në mënyrë të ngushtë me organizata të tjera ndërkombëtare në gjetjen e një zgjidhjeje politike për të kapërcyer krizën. “Ne mbështesim të gjitha nismat duke përfshirë atë të Presidentit Topi për të bashkuar të gjitha partitë politike shqiptare. Ne mendojmë se një tryezë e rrumbullakët bisedimi, ku të bashkohen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe në vendosjen e pikave për fillimin e dialogut parlamentar”, - shkruhet në raport.
Rekomandimet
Në përfundim të tij jepen disa rekomandime që do të adaptohen nga Asambleja në seancën e datës 28 janar, në mënyrë që të nxitet dialogu në Shqipëri dhe të arrihet zgjidhja e krizës politike. “Asambleja parlamentare, duke u mbështetur në rezolutën për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, vëren se kriza politike ka paralizuar politikën dhe institucionet shtetërore në Shqipëri. Duke u bazuar në faktin se Këshilli i Europës e ka detyrë statutore për të ndihmuar shtetet anëtare që të gjejnë zgjidhjen e krizave politike nëpërmjet mjeteve demokratike dhe kushtetuese, Asambleja rekomandon: Të përfshihet në mënyrë aktive, në bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare kompetente dhe përfaqësuesit e KE-së në këtë fushë, në gjetjen e zgjidhjeve politike për krizën dhe të mbështesë nismat për të mbledhur bashkë në një tryezë diskutimi të gjitha partitë politike në Shqipëri.
Të nxisim dialogun nëpërmjet Asamblesë në mënyrë që të kontribuojmë për gjetjen e zgjidhjes së krizës aktuale”, - shkruhet në raport.
Më tej raporterët kanë sqaruar në këtë raport se gjatë vizitës së tyre në muajin nëntor në Shqipëri, në takimet me përfaqësuesit e PS-së, iu është thënë se “hapja e kutive është pjesë e listës së kërkesave për të bërë transparencën e procesit zgjedhur dhe se ata e pranojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe kërkesa për hapjen e kutive nuk nënkupton ndryshimin e rezultatit”. Raporterët gjithashtu kanë shkruar se “në bazë të Kushtetutës, në rast se deputetët e PS-së nuk bëjnë betimin për gjashtë muaj, ata nuk kanë të drejtë të marrin rrogën”.
Raporti
Kërkesat e PS-së për t’i dhënë fund bojkotit:
Miratimi i një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve.
Ngritjen e një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE/ODIHR-it që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision.
Garantimi e së drejtës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.
Identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve, që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore.
Rikthimin në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor, që janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në.
Ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV.
Transparencë në zbardhjen dhe investigimin e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.
Raporti
Rekomandimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Të përmirësohet regjistri për statusin civil dhe regjistri zgjedhor dhe në këtë kontekst të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare.
Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave.
Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.
Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme.
Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet.
20 Janar 2010