E Diel, 1 Nëntor 2026

Butrinti, dy ish-policët nga 11 vjet burg për trafik

 

TIRANE – Prokuroria i kërkoi dje Gjykatës për Krimet e Rënda 54 vjet burg dhe 34 milionë lekë gjobë për pesë persona të akuzuar për trafik klandestinësh, mes të cilëve edhe dy ish-punonjës policie. Në seancën e djeshme në ngarkim të të arrestuarve të operacionit “Butrinti” në korrik të vitit 2007, përfaqësuesi i akuzës paraqiti përpara gjykatës konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë. Sipas pretencës, prokuroria i kërkoi gjykatës deklarimin fajtor për të pestë të pandehurit dhe dënimin e tyre me burg dhe me gjobë në vlerë monetare. Përfshirja në rrjetin e trafikantëve mund t’u kushtojë më shumë dy ish-efektivëve të policisë së kufirit të Sarandës, Kadri Emini dhe Ilmi Bejko, për të cilët prokuroria kërkoi nga 11 vjet e 6 muaj burg dhe nga 7.5 milionë lekë gjobë. Për të cilësuarin nga prokuroria si kreun e grupit të trafikantëve, Arjan Shehu, u kërkua shpallja e tij fajtor dhe dënimi i tij me 11 vjet burg dhe 7 milionë lekë gjobë. Ndërsa për dy të pandehurit e tjerë, Emin Halili dhe Ilia Thoma, prokuroria kërkoi nga 10 vjet heqje lirie dhe nga 6 milionë lekë gjobë. Mbi të pandehurit e kësaj dosjeje rëndonte akuza e “dhënies ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” të kryer në bashkëpunim e shtuar me “nga persona që ushtrojnë funksione shtetërore, për dy ish-policët dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Pesë të pandehurit e kësaj dosjeje u prangosën nga operacioni policor “Butrinti” në 20 korrik të vitit 2007, në pikën kufitare të Qafë-Botës. Ata akuzohen nga prokuroria për pesë episode të trafikimit të klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, në harkun kohor maj-qershor 2007. Sipas Prokurorisë, ata e kanë konsumuar veprën në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas kërkesës për gjykim, grupi drejtohej nga Arjan Shehu. Ndërsa dy efektivët e policisë informonin grupin për kohën e patrullimeve policore në pikën kufitare. Trafikimi i klandestinëve nga zona e Sarandës drejt Greqisë bëhej kundrejt shumave të mëdha financiare në euro, nga të cilat merrnin të gjithë anëtarët e grupit. Hetimi për grupin në fjalë filloi në maj 2007 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, pas një kallëzimi të bërë në Prokurorinë e Vlorës. Gjatë shqyrtimit gjyqësor përveç provave të tjera dhe dëshmitarëve të të dyja palëve, në seancë janë dëgjuar edhe të gjitha përgjimet e bisedave telefonike që tregonin implikimin e personave në trafikun e paligjshëm të klandestinëve.                ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›