E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas në FIFA: “Katari e bleu Botërorin 2022”

NION- FIFA kundër FIFA-s, të gjithë kundër të gjithëve. Bin Hamam dhe Xhek Uorner kundër Blater, duke e akuzuar se i ka paguar 1 milion dollarë delegatëve nga Amerika e Veriut, përveçse u ka dhënë dhurata të ndryshme. Më pas, Blater kundër Bin Hamam, duke e akuzuar se ka blerë votat e amerikano-veriorëve. Por, fakti i fundit ka vënë në siklet edhe sekretarin e përgjithshëm Zherom Valke dhe kjo për faj të një e-maili privat, por kompromentues, në të cilin ai shkruan se e di që “Katari e ka blerë Botërorin e vitit 2022”. Pra, në Zyrih është duke u hapur një binar i dytë skandalesh: korrupsion për votat presidenciale dhe mesa duket, korrupsion edhe për dhënien e të drejtës së organizimit të Botërorit 2022, Katarit. Po si lindi e gjithë kjo histori? Në muajin tetor, gazeta britanike “Sunday Times” publikoi dyshimet se po tentohej të bliheshin votat për Botërorët 2018 dhe 2022. Gazetarët u veshën si ndërmjetës dhe regjistruan takimet me anëtarët e FIFA-s, mes të cilëve dy të Komitetit Ekzekutiv, një nga Tahiti dhe një nga Nigeria. U votua dhe në fund fituan Rusia (2018) dhe Katari (2022), edhe pse dosjet e tyre ishin më të këqijat në krahasim me Anglinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anglia në ato momente u betua për hakmarrje. Pas disa muajsh, Mohamed Bin Hamam, nga Katari, një protagonist për suksesin e “Katar 2022” dhe ish-mik i Blater, vendos të kandidojë për presidencën e FIFA-s. Sfidon “The boss”, që kërkon mandatin e katërt. Në ato momente u hap një luftë e brendshme, me dy çështje të mëdha: 1) dyshimet për korrupsion në dhënien e vendimit për Botërorët 2018 dhe 2022; 2) dyshimet për korrupsion për votat e presidencës së FIFA-s. Akuzave u shtohen ato të kreut të Federatës Anglese, Lord Triesman, që në Parlament ka akuzuar për korrupsion 4 anëtarë të FIFA-s. Njëri ka kërkuar para, tjetri (Tekseira i Brazilit) “diçka”, ndërsa Leoz ka kërkuar titullin “kavalier”. Pas kandidaturës së Bin Hamam, Blater kuptoi se nuk e kishte më të sigurt, ndërsa në Trinidad, katariani ka bërë një mbledhje me 25 anëtarë nga 35 të Konfederatës së Amerikës së Veriut, duke bërë fushatë dhe duke iu dhënë secilit nga 40 mijë dollarë. Para në këmbim të votave, akuzon amerikani Çak Blejzër, i Concacaf, i cili del kundër Xhek Uorner, shefit të tij. Komisioni i Etikës, i emëruar prej Blater, nis një hetim. Bin Hamam kalon në kundërsulm, duke e akuzuar Blater se e dinte për blerjen e votave dhe nuk veproi, ndërsa më pas tërhiqet në mënyrë të papritur, duke e kuptuar se ishte kapur “mat” dhe se kundër tij kishte prova. Komiteti i Etikës pezullon Bin Hamam dhe Xhek Uorner, presidentin e Concacaf. Ndërsa në foto dalin edhe 40 mijë dollarët e dorëzuar Federatës së Bahamasit. Por, Xhek Uorner hidhet në sulm. “Edhe Blater ka paguar delegatët e Amerikës së Veriut për votat, - tha ai. – Ka paguar 1 milion dollarë në sytë e Valke dhe të Platini. Më pas, ka bërë edhe dhurata të tjera”. Menjëherë pas takimit, Platini ka kërkuar llogari: “Nga u gjendën këto 1 milion dollarë dhe me çfarë arsyeje u dhanë?”. Ndërkohë, nga Katari deklarojnë se nuk kanë blerë askënd, duke e futur rrjedhën e ngjarjeve në një skandal ndërkombëtar. Në mbrëmjen e së hënës, Sep Blater doli në një konferencë për shtypin, duke u zënë me disa gazetarë dhe më pas duke u larguar e duke thënë me kurajo: “Krizë e FIFA-s? Çfarë krize? Janë vështitësi të vogla. Të mërkurën votohet dhe do ta zgjidhim problemin brenda nesh”. Një konferencë paradoksale, në të cilën “The boss” ka vetëm një avantazh: atë që Komitetit Ekzekutiv nuk i janë ofruar prova për korrupsionin mbi Botërorët 2018 dhe 2022. “Unë duhet të arrestohem? E përse. Më vjen keq për atë çfarë ka ndodhur, sepse e dëmton imazhin e futbollit. Krizë? Nëse dikush nga ju ma shpjegon këtë fjalë, do të përgjigjem. Por, futbolli nuk është në krizë”. Më pas, ka kaluar në sulm: “Tolerancë zero brenda e jashtë fushe, do të forcojmë Komitetin e Etikës. Bin Hamam? Pyeteni atë se përse u tërhoq”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›