E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas në PD, baza refuzon Pollon

Kthimi në "shtëpinë e vjetër" për demokratë-reformatorët duket se nuk është edhe aq i lehtë. Baza e Partisë Demokratike në rrethe ka sjellë probleme për anëtarësinë e PDR-së. Deputeti Tritan Shehu deklaroi dje për "Shqip", se "bashkimi PD-PDR ka nisur tashmë, por procesi ende nuk ka përfunduar, pasi janë hasur vështirësi në strukturat e PD-së në rrethe për përfshirjen e anëtarësisë së PDR-së". Marrëveshja Berisha-Pollo në fundin e muajit tetor të vitit të kaluar solli "revolta" në Partinë Demokratike. Kryeministri Berisha ngarkoi me detyrë kreun e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozin, dhe deputetin Tritan Shehu, që të nisin modalitetet për shkrirjen e demokratë-reformatorëve me demokratët. Sipas deputetit Shehu, "në muajin mars pritet që të zyrtarizohet përfundimisht shkrirja, pasi të kenë përfunduar edhe disa mosmarrëveshje në bazën e PD-së në rrethe". Spektri politik i qendrës së djathtë që prej tetorit numëron një parti më pak, ndonëse vlen të theksohet nga ana tjetër, se PDR-ja vijon të ekzistojë si grup parlamentar në Kuvend. Në tetor të vitit 2008, zv/kryeministri aktual Genc Pollo vendosi t‘i japë fund "udhëtimit" të tij 10-vjeçar jashtë Partisë Demokratike. Rikthimi i ish-zëdhënësit të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, ka marrë bekimin e këtij të fundit. Marrëveshja u nënshkrua në muajin tetor në Kryesinë e Kuvendit, duke rikthyer Genc Pollon në partinë që e futi në politikë nëntë vjet pas divorcit të bujshëm, që çoi Berishën dhe Pollon në gjykatë, ashtu siç përfundon një "martesë" e dështuar. Sipas planit, bashkimi duhet të shtrihet në të gjitha strukturat e partive që nga degët, organizatat mbështetëse e deri në forumet qendrore të partisë. Pikat e marrëveshjes së shkrirjes mes dy partive janë tri vende të sigurta të zyrtarëve të lartë të PDR-së në kryesinë e PD-së, 7 vende në Këshillin Kombëtar, duke vijuar me të njëjtin raport edhe në strukturat bazë. Anëtarësisë së dy partive u njihet automatikisht vjetërsia e mëparshme në formacionet politike respektive. Në funksion të bashkimit u ra dakord që degët në të gjitha rrethet të nisin menjëherë shkrirjen e tyre, proces i cili shkon paralelisht me zgjedhjet e reja në parti. Dhe pika e fundit ishte që procesi i bashkimit në të gjitha nivelet të quhej i përfunduar pas zhvillimit të zgjedhjeve të reja në parti, të cilat parashikohen që të kryhen brenda tremujorit të vitit 2009. Menjëherë pas vendimit për shkrirjen e PDR-së me PD-në, deputetët e mazhorancës nisën sulmin ndaj "djalit planprishës" demokrat Genc Pollo. Po të kthehemi në retrospektivë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, e etiketoi "Pollon si një viktimë që po i kacafytet Berishës". Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, pohoi se në Partinë Demokratike nuk ka ndryshuar asgjë dhe se kreut të PDR-së i duhej një strehëzë e ngrohtë. Kundërshtimet u shfaqën edhe nga kampi i demokratëve, një prej të cilëve deputeti Preç Zogaj theksoi se "kthimi i Pollos nuk i sjell vota PD-së".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›