Ligji i "dosjeve", Topalli: Detyra jonë, të mos tërhiqemi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj kritik ndaj Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit. Nga Shkodra, ku ka bërë një vizitë në ekspozitën historike në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, ajo iu përgjigj dje interesit të medias për këtë çështje. Sipas Topallit, "me vendimin për pezullimin e ligjit të lustracionit, Gjykata Kushtetuese ka qenë në konflikt interesi, por është detyra jonë që të mos tërhiqemi dhe të ecim përpara në rrugën e shtetit ligjor për të bërë transparencë". Topalli shprehu sakaq vendosmërinë e mazhorancës për të larguar njëherë e mirë nga postet më të larta zyrtare të gjithë ata njerëz që në të kaluarën kanë shkaktuar tmerre. Por, tashmë, sipas Kryetares së Kuvendit, këto tmerre kanë marrë fund dhe të gjithë ata që janë persekutuar e i kanë vuajtur mbi kurriz do të dëmshpërblehen nga qeveria. Ndaj, ajo u ka kujtuar edhe njëherë ish të përndjekurve nga Shkodra se "dëmshpërblimi i kësaj kategorie të të dënuarve politikë është një tjetër premtim i mbajtur i kësaj qeverie, pasi një proces i tillë pritet të realizohet vetëm në ditët e ardhshme". Topalli premtoi se paralelisht në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, Partia Demokratike do të kalojë dhe një amendim të ligjit, duke i dhënë të drejtën e dëmshpërblimit e të pushkatuarve pa gjyq, si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë. Teksa vizitoi ekspozitën në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, Kryetarja Topalli u shpreh se "ne duhet të shohim nga e ardhmja, për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur". Gjithashtu, ajo vuri në dukje se "kjo ekspozitë është një tjetër dëshmi rrëqethëse për periudhën 50-vjeçare të diktaturës". Kjo, u shpreh Topalli, jo vetëm që është periudhë e ndaljes së kohës për Shqipërinë e shqiptarët, por është një ndër periudhat që ka krijuar dhimbje të jashtëzakonshme, që ka frenuar çdo gjë që ka ekzistuar në jetën e njeriut, lirisë së tij, që ka ndaluar me ligj Zotin dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të imagjinohet. Nga informacioni i dhënë në ekspozitë, thuhet se gjatë periudhës së diktaturës komuniste, mbi 25 klerikë katolikë nga rrethi i Shkodrës janë ekzekutuar, ndërsa dhjetëra të tjerë janë dënuar me shumë vite burg, internime e kampe pune. Ekspozita e titulluar "M‘shirë o Zot se kam gabue" ka sjellë një kombinim të veçantë kontrasti të dokumenteve historike të kohës, me pamje filmike, fotografi, objekte dhe dorëshkrime nga vuajtjet e klerikëve katolikë e myslimanë, gjatë persekutimit të pamëshirshëm nga regjimi komunist, si dhe prishjes masive të objekteve të kultit në të gjithë vendin.