E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria Profesioniste, përfundon procesi i rekrutimit për ushtarë me pagesë

Një nga sfidat më të mëdha të ushtrisë shqiptare për vitin 2009 është përmbyllja e procesit të shndërrimit në një trupë profesioniste, me standarde të njëjta me ato të vendeve anëtare të NATO-s. Deri më 31 dhjetor të këtij viti merr fund procesi i rekrutimit për kryerjen e shërbimit ushtarak. Nga 1 janari i vitit 2010 Shqipëria do të ketë vetëm një ushtri profesioniste, me pagesë dhe hierarki në bazë të funksioneve dhe gradave. Rekrutimi i ushtarëve profesionistë ka nisur që prej një viti dhe procesi është konsultuar dhe monitorohet dhe nga ekspertë të NATO-s. Ministria e Mbrojtjes dhe Qendra Kombëtare e Rekrutim Mobilizimit kanë zhvilluar dhe zhvillojnë një fushatë të gjerë propagandistike për kushtet dhe kërkesat, që duhet të plotësojë cilido aplikant nga mosha 19 deri në 30 vjeç, që ka kryer të paktën arsimin e mesëm. Burime pranë kësaj qendre shpjeguan se çdo ditë e më tepër të rinjtë po shfaqin interes që të jenë pjesë e Ushtrisë Profesioniste. Mirëpo përveç dosjes që duhet të përgatisin me disa dokumente, ata duhet të kalojnë edhe dy testet para se të bëhen pjesë e kësaj ushtrie. Të njëjtat burime sqaruan se Drejtoritë e Rekrutimit gjatë kësaj kohe kanë hequr dorë aksionet për grumbullimin e të rinjve për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak por, po i përkushtohen përzgjedhjes së kandidatëve për Ushtri Profesioniste.
Femrat ushtare
Në qendrën e rekrutimit në Tiranë zhvillohet një ditë në javë testimi për ata, që kanë plotësuar formularët e aplikimit. Janë djem e vajza nga 19 deri në 30 vjeç nga të gjitha rrethet e vendit, që i nënshtrohen dy testimeve bazë, atij fizik dhe psikologjik. Modeli është ndërtuar me asistencën e ekspertëve të NATO-s, të cilët janë prezent vazhdimisht dhe gjatë konkurrimit të aplikantëve. Pasi mbarojnë provat fizike, kryesisht vrapim dhe ushtrime rezistente, aplikantëve iu duhet të përballojnë edhe provimin me pyetje të karakterit psikologjik. Ushtria shqiptare synon që të ketë një trupë me rreth 3600 vetë, ndër këta rreth 12 për qind ose 430 prej tyre të jenë nga radhët e femrave. Aktivizimi i tyre krahas meshkujve shikohet si një mundësi reale për karrierë, arsimim dhe kualifikim të mëtejshëm, aftësim dhe pasurim të përvojës jetësore e kulturore. Pse jo dhe garancia e një pagese të kënaqshme dhe mundësia për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse jashtë vendit, ashtu siç kanë operuar deri më sot dhe meshkujt. Sipas specialistëve në këtë drejtori të rinjtë që plotësojnë kriteret për t’u bërë ushtarë profesionistë, në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv i ofrohet vetëm 9 (nëntë) javë stërvitje bazë në Br.S. Bunavi dhe pastaj punësim në Forcat e Armatosura si Ushtar Profesionist.
Vendimi
Qeveria vendosi në vitin 2008 heqjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe kthimin brenda vitit 2010 në Ushtri Profesioniste. Falë atij vendimi u përcaktua që kjo ushtri profesioniste të arrihej në bazë të rekrutimit të ushtarëve të rinj, të cilët do të paguhen për shërbimet në Forcat e Armatosura shqiptare.
Në ndryshimet e miratuara nga kabineti qeveritar, në ligjin “Për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë”, theksohet se gjithkush që do të bëhet pjesë e ushtrisë shqiptare do të paguhet. “Qendra e rekrutim-mobilizimit përgjigjet për zbatimin e programit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sigurimin e personelit të nevojshëm për shërbimin e detyrueshëm ushtarak aktiv, rezervist, dhe të personelit profesionist (me pagesë), për plotësimin e njësive e të reparteve të Forcave të Armatosura”, përcaktohej në ligjin e ri duke ngarkuar përgjegjësi konkrete për këtë tjetërsim të Ushtrisë.

Pozicionet e punësimit për ushtarët e rekrutuar
Pozicionet e punësimit që do të vendosen këto forca janë në pozicionet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare, ku deri sot janë mbuluar nga profesionistë me kualifikime dhe shkollim përkatës. Sipas njoftimit të nxjerrë nga Qendra e Rekrutim- Mobilizimit, punësimi i shtetasve kërkohet në Brigadën e Reagimit të shpejtë në Zall- Herr, Brigadën e Mbrojtjes Rajonale Tiranë, në Policinë Ushtarake Sauk, Komanda Mbështetëse Tiranë, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes Tiranë, Brigada e Logjistikës Tiranë, si dhe në Brigadën e Xhenios Tiranë. Të gjitha këto hapësira apo pozicione do të jenë të hapura për rekrutët, të cilët do të profilizohen sipas nevojave të Ushtrisë në RSH.

Si prioritete për përgatitjen e ushtarëve profesionistë janë:
•Kryerja e stërvitjes bazë në Br.S Bazë, Bunavi
•Kurseve institucionale dhe funksionale
•Kualifikimet e ndryshme si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij
•Kurse për specialitete të veçanta, si shoferë, manovratorë, mekanikë

25 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›