E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platforma e qeverisë, vazhdimi i reformave dhe premtimet e mbajtura

Kryeministri Sali Berisha inauguron përfundimin e disa veprave publike në Paskuqan

Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve për rrugën “Paskuqan 2 – Shkolla e mesme”, investim i buxhetit të shtetit, kreu i qeverisë, u shpreh se mazhoranca po ecën e sigurt drejt një mandati të dytë, sepse ajo bazohet në një platformë realizimesh e projektesh, e jo në shpifje e nihilizma

TIRANE - Në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në Paskuqan, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, financime të buxhetit të shtetit. Shefi i ekzekutivit, deklaroi se qeveria që ai drejton ka platformën e saj, për ndryshimin e vendit, në sajë të realizimit të reformave dhe premtimeve të mbajtura, të cilat gjatë mandatit të parë të qeverisjes së djathtë, janë përmbushur në tërësi.
Gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve për rrugën Paskuqan 2 – Shkolla e mesme, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 67 milion lekë, kreu i qeverisë, u shpreh se mazhoranca po ecën e sigurt drejt një mandati të dytë, por, tha kryeministri, sot ka dy platforma njëra platformë bazohet në fjalë boshe, bazohet në trillime, bazohet në nihilizmi, platforma e vetme e tyre është të mohojnë.
“Ne rrisim rrogat, ata thonë nuk janë rritur, ne garantojmë furnizime me energji, ata fikin dritat për të treguar se nuk kanë energji. Ne rrisim pensionet, ata deklarojnë se nuk po rriten, ne po anëtarësohemi në NATO, ata thonë se nuk ka ndryshim. Atëherë, me lejoni të deklaroj përpara jush se fjalët e mia do të jenë rrugë, se fjalët e mia do të jenë ura, se fjalët e mia do të jenë shkolla, se fjalët e mia do të jenë pallate sportive, se fjalët e mia do të jenë universitete, se fjalët e mia do të jenë integrim në NATO, se fjalët e mia do të jenë rritje rrogash, se fjalët e mia do të jenë rritje pensionesh. Kjo mbetet platforma ime, për ju dhe mbarë shqiptarët, ata le të vazhdojnë të trillojnë, le të vazhdojnë të mohojnë, lë të vazhdojnë të vajtojnë. Ne do fitojmë”, u shpreh kryeministri Berisha.  
Kreu i qeverisë vlerësoi rëndësinë e unazës së re për qarkullimin dhe zhvillimin e gjithë kësaj zone. Duke sjellë në vëmendje investimet në këtë zonë, kryeministri tha se qeveria ka investuar dhe po investon në: ujësjellësi Paskuqan 1 dhe 2, 89 milion lekë.
“Ujësjellësi Paskuqan 2 – vresht, 98 milion lekë, rruga Babrru – Paskuqan 2, 99 milion lekë, rruga Babrru - qendër te kafeja e Rremës, 55 milion lekë, rruga Paskuqan 2 – Institut, 82 milion lekë. Unaza e Paskuqanit, Paskuqan 1, Paskuqan 2 – Babru, 220 milion lekë, rruga  Ura-Paskuqan 1, Paskuqan –Qendër 10 milion lekë. Poliklinika e specialiteteve 28 milion lekë, ambulanca 3 milion lekë, shkolla e mesme në Paskuqan 2 130 milion lekë, shkolla në Babrru 92 milion lekë”, vuri në dukje kryeministri.
Gjithashtu kryeministri Berisha, i kushtoi një rëndësi të veçantë edhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si aktin më madhor të historisë sonë kombëtare.

Berisha reagon përsëri ndaj kryebashkiakut për pengmarrjen e planit e Unazës së Madhe

“Edi Rama ka vendosur kredon e tij të sëmurë mbi interesat e qytetarëve”

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha i kërkoi përsëri dje, kryebashkiakut Edi Rama, që të dorëzojë planin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Gjatë inaugurimit në unazës 6 km të Paskuqanit, Berisha tha para qytetarëve se “do të doja shumë të prisja edhe aty, bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës, inaugurimin e punimeve të unazës së kryeqytetit të vendit”.
“Por, kryetari i Tiranës, mbi interesat e qytetarëve, mbi interesat e komunitetit, mbi interesat e kryeqytetit, vendos kredon e tij te sëmurë dhe nuk na dorëzon projektin, sepse ne jemi të gatshëm ta financojmë atë sado që të kushtojë”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se brenda katër ditëve nis rikonstruksioni i plotë i urës që lidh Paskuqanin me Tiranën, dhe brenda dy muajve nisin punimet për aksin gjatësor, që lidh Tujanin dhe Laprakën, dhe një seri urash, të cilat do të lidhin Paskuqanin me kryeqytetin.
Këto deklarime Kryeministri Sali Berisha i bëri në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për unazën e re të Paskuqanit, një investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 130 milion lekë.
Kreu i qeverisë theksoi se investimi i qeverisë për unazën e Paskuqanit, synon ndërtimin e një rruge të re të standardeve më të mira, me trotuare, ndriçim, me gjatësi 6 kilometra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›