Dega e PD-së në Vlorë voton Ardian Kollozin në funksionin e kryetarit
PD do të fitojë zgjedhjet e qershorit, i ka realizuar premtimet
TIRANE – Dega e PD-ës së Vlorës, ka votuar dje për kandidaturën e Ardian Kollozit, si kryetar i ri i kësaj dege. Në Konferencën e degës së PD-ës në Vlorë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Astrit Patozi, rikonfirmoi besimin për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit.
I pranishëm në konferencën e Degës së Partisë Demokratike në Vlorë, Patozi u shpreh se “PS sot është në degradim, sepse përpara së gjithash ka një kryetar që thotë se është përfaqësues i politikës së re, por që përfaqëson të kundërtën”.
Parulla e socialistëve “Përtej të majtës dhe të djathtës”, shpjegoi Patozi, do të thotë se ata po kërkojnë të ndërrojnë identitetin e tyre.
“Ata janë në krizë identiteti”, u shpreh ai, ndërsa e cilësoi kryesocialistin Edi Rama si simbolin e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin.
Duke iu referuar zgjedhjeve në strukturat e PD-së në Vlorë dhe frymës konstruktive të tyre, Patozi theksoi se “ky është manifestim i pjekurisë politike dhe bashkëpunimit në radhët e demokratëve në të gjithë vendin”.
“Ne nuk kemi betejë me njëri- tjetrin, por kemi garë me njëri- tjetrin. Ne betejën e vërtetë e kemi me kundërshtarët tanë, beteja jonë është 28 qershori”, theksoi Patozi. Për z. Patozi, PD do të fitojë në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse i ka mbajtur të gjitha premtimet gjë që do ta bëjë edhe në mandatet e ardhshme.
“Pjesë e kësaj politike është dhe Vlora që ka qenë mbretëresha e investimeve në qeverisjen e PD-së”, nënvizoi ai.
Gjatë takimit, kryetari, i degës së PD-së për Vlorën, Agron Sharra bëri një analizë të aktivitetit të kësaj dege në 4 vitet e fundit, duke theksuar se “në radhët e saj numërohen 3300 anëtarë, nga 1870 që ishin në vitin 2004, gjë që dëshmon për profilin e qartë të kësaj force politike”. Vlora aktualisht përfaqësohet me dy deputetë të PD-së në Kuvend dhe në zgjedhjet lokale të 2007-ës, arriti të fitojë shumicën e njësive të qeverisjes vendore në rang rrethi dhe qarku.
Pas zhvillimit të procesit zgjedhor për kreun e PD-së Vlorë, ku kandiduan Genti Hamazaraj aktualisht Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatim- Taksave dhe anëtar i kryesisë së degës dhe deputeti aktual i Vlorës, Ardian Kollozi, me shumicë votash fitues u shpall ky i fundit.