“Kush nuk pajiset më kartat e identitetit do të privohet nga shërbimet shtetërore”
Ministria e Brendshme ripërsërit paralajmërimin dhe apelon për sanksionet
TIRANE - Ministria e Brendshme paralajmëroi dje qytetarët se nuk do të përfitojnë asnjë shërbim nga institucionet shtetërore nëse nuk pajisen me kartat e identitetit. Zëdhënësi i kësaj ministrie Fatmir Konja i ka ftuar edhe një herë qytetarët të aplikojnë për kartat e identitetit.
“Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që nuk disponojnë pasaportën aktuale për udhëtim jashtë shtetit të paraqiten në qendrat e aplikimit për t’u pajisur me letërnjoftimet elektronike. Ministria e Brendshme rikujton edhe njëherë se letërnjoftimi elektronik është një dokument që nuk vlen vetëm për zgjedhjet parlamentare të qershorit, por edhe për të marrë shërbimet e institucioneve shtetërore. Mospasja e kartës së identitetit do të krijojë pamundësinë e marrjes së këtyre shërbimeve për pensionistët, studentët dhe të gjithë qytetarët e tjerë”, tha Konja.
Zëdhënësi i këtij dikasteri ka publikuar me shifra ecurinë e procesit dhe ka rikujtuar se tashmë qytetarët mund të aplikojnë njëkohësisht edhe për pasaportat biometrike. “Ministria e Brendshme informon opinionin publik se procesi i aplikimit për letërnjoftime elektronike deri më tani ka filluar në 210 njësi vendore. Deri në datën 26 Mars 2009 kanë aplikuar 350 mijë shtetas, ndërkohë në Qendrën Kombëtare të Personalizimit të të Dhënave janë prodhuar 250 mijë karta identiteti”, theksoi Konja.
Dy ditë më parë, i ftuar në emisionin televiziv “Log”, në Televizionin Publik Shqiptar, kryeministri Sali Berisha deklaroi e “propozimi i PS-së për shpërndarjen falas të kartave të identitetit është një tendencë që synon zhvlerësimin e këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin”.