Drejtuesit e fraksionit të Milos shfrytëzojnë kartën e fundit para pensionit politik
Reagojnë demokristianët me Anton Gurakuqin, pas sulmeve të Nard Ndokës ndaj RTSH
TIRANE - Demokristianët reaguan dje me kryetarin Anton Gurakuqi, pas presionit dhe kërcënimit që Nard Ndoka, drejtoi ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar. Gurakuqi tha se Ndoka përfaqëson interesat e fraksionistëve të partisë së Milos.
“Drejtuesi i fraksionistëve të Partisë Demokracia Sociale, Nard Ndoka, i tmerruar nga të vërtetat që ne kemi artikuluar për të, sot po shfrytëzon kartën e fundit përpara pensionit politik, atë të presionit ndaj mediave. Në një situatë të një politikani mjeran, Ndoka dhe fraksionistët e partisë së Milos po tentojnë të mbyllin gojën e demokristianëve shqiptarë, duke rikthyer në këtë mënyrë të njëjtat metoda si ato të para viteve ‘90, diktaturës më të egër që ka njohur Evropa e pas luftës së dytë botërore”, u shpreh kryetari i PDK-së, Anton Gurakuqi, duke shtuar se Ndoka në krye të një fraksioni të majtë paralajmëron organizimin e protestave përpara godinave të televizioneve, vetëm e vetëm sepse ato pasqyrojnë realitetin demokristian në vend.
“I kujtojmë politikanit në prag të pensionit se, PDK është një parti që ka ditur t’i rezistojë kohës, që ka ditur ti rezistojë presioneve, sikundër ne jemi të gatshëm të përballemi me Ndokën dhe fraksionistët e demokracisë sociale në çdo debat televiziv apo publik. Më konkretisht për të sqaruar dështakun Ndoka ne nenin 66 te ligjit, thuhet shprehimisht: “Si një transmetues i përkushtuar ndaj idealeve me te larta te transmetimit te shërbimit publik kombëtar, RTSH-ja realizon shërbime cilësore radioje dhe televizioni për te informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupimeve të shoqërisë, përfshirë edhe pakicat kombëtare”, nënvizoi Gurakuqi.
PDK vlerëson Televizionin Publik Shqiptar për predispozitën e hapësirave të saj, në respekt të taksapaguesve shqiptarë, ku përfshihen edhe demokristianët e vërtetë të këtij vendi.