E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do ndërmarrë nismë ligjore kundër rritjes së taksave nga njësitë vendore

Kryeministri Berisha merr pjesë në Konferencën e degës së PD-së, në Durrës

TIRANE - Gjatë mbledhjes së Konferencës së 9-të të Partisë Demokratike, dega Durrës, kryeministri Sali Berisha, deklaron përsëri se nuk do të lejojë që njësitë të vendore të abuzojnë, duke rritur taksat e biznesit të vogël. Berisha tha se është partizan i taksave të ulëta, të cilat kanë dhënë rezultate befasuese dhe se qeveria nuk do të lejojë që pushteti lokal të rrisë abuzivisht taksat ndaj biznesit.
“Ka një tendencë çnjerëzore për të rritur taksat e biznesit të vogël. Ne, absolutisht, do të ndërhyjmë me ligj dhe askush të mos mendojë se do të përdorë pavarësinë e pushtetit vendor, për të vendosur barrë mbi bizneset e vogla. Kësaj i thonë të sjellësh zjarrin në vatrën tënde. Në një kohë kur të tjerët ulin taksat për të shpëtuar bizneset, qeveritarët vendor shqiptarë kanë gjetur mekanizmin e rritjes. Brenda 10 ditëve, parlamenti do të ndërhyjë pa diskutim dhe do t’ua vendosë ‘kufirin te thana’. Është shumë e lehtë të urdhërosh rritje taksash, por duhet të menduar se si e nxjerr biznesmeni i vogël kafshatën, se çfarë djerse dhe mundi harxhon ai”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se me gjithë krizën botërore, investimet në Shqipëri vijojnë me ritme të larta. “Si rrallë ndonjë vend tjetër, në një hark kohor 2 mujor, ne kemi firmosur 3.5 miliardë kontrata koncensionale. Dy vite më parë unë isha për vizitë zyrtare në një vend mik dhe atë ditë, Kryeministri i atij vendi, do të firmoste me një firmë koreane kontratën prej 1 miliardë dollarësh për ndërtimin e makinave. Me vete mendoja se vallë kur do të vijë dita që edhe ne të firmosim kontrata 1 miliardë dollarësh. Por dita erdhi shumë më shpejt nga sa e kisha menduar unë. Kjo ditë u realizua në dhjetor, u ri përsërit në janar. Sot ne kemi me dhjetëra koncesione të tjera në parapërgatitje, me të cilat jo vetëm zhvillojmë Shqipërinë, por punësojmë me shpejtësi shqiptarët”, tha Berisha.
Kryeministri bëri një rezume të të gjitha arritjeve të qeverisë në këto katër vite, si lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i klimës së biznesit dhe shndërrimi i vendit në një kantier ndërtimi. Kreu i ekzekutivit i garantoi qytetarët e Durrësit për vazhdimësinë e investimeve, teksa premtoi ngritjen e një parku industrial, ndër më i rëndësishmi në Ballkan.
Berisha tha se mazhoranca e djathtë shkon e sigurt drejt mandatit të dytë, pasi Shqipërinë, atë vendin që e përçmuan, e braktisën, e bojkotuan nga biznesi ndërkombëtar, është shndërruar sot në një nga vendet më tërheqëse të biznesit ndërkombëtar në rajon e më gjerë.
“Ju jeni dëshmitarë se gjatë muajve të fundit, mediat më serioze në botë kanë cilësuar Shqipërinë si vendin më të sigurt për investimet, vendin të tërheqës, si vendin ku duhet të investohet. Kjo ka qenë jo e lehtë në një vend ku klanet mafioze dominonin dhe kontrollonin portet, aeroportet, kontrollonin territorin, ku bashkëpunimi i tyre me qeverinë nuk njihte asnjë ligj, asnjë rregull, veçse impononte gjobën dhe taksën. Ne dalim në këtë fushatë elektorale, para zgjedhësve shqiptar me një program të ri, program transformimesh të mëdha, me një program që do të shndërrojë Durrësin dhe mbarë Shqipërinë në vendin e ritmeve  më të shpejta të zhvillimit. Këto katër vite ishin vite të transformimeve të thella. Lufta jonë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, çmontimi me shpejtësi i 260 grupeve kriminale dhe organizatave të krimit, bëri të mundur që në Shqipëri të sundojë ligji dhe jo bandat, bëri të mundur që Shqipëria të ketë treguesit e kriminalitetit qartësisht më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së. Kjo luftë bëri të mundur që vitin e kaluar, Shqipërinë ta vizitojnë 2.7 milionë vizitorë, kundrejt vetëm 300 mijë që hynin në kufijtë tanë në vitin 2004, ose që Shqipëria të dalë nga harta si rrugë kryesore e drogës. Kjo luftë bëri të mundur që qytetarët shqiptarë të zhvillojnë të qetë veprimtarinë e tyre të biznesit. Lufta kundër krimit të organizuar është një luftë e pandërprerë. Zero tolerancë do të jetë sërish qëndrimi ynë. Ne kemi arritur vërtetë të kemi tregues kriminaliteti nën mesataren e BE-së, por  ne do të synojmë të arrijmë treguesit më të ulët të BE-së në këtë drejtim”, deklaroi kryeministri. 
Gjithashtu, kryeministri shtoi se reformat e ardhshme do të kenë këtë synim kryesor. “Për ne shpresë është puna, për ne e ardhme është rritja ekonomike, integrimi në NATO, ne nuk jemi dhe nuk do të jemi ndonjëherë parti e fjalëve boshe. Ne vijmë sot, në këtë akt të madh kombëtar, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pasi ne jemi burrat dhe gratë që shembëm ‘murin e Berlinit në Shqipëri’, ne jemi ata që shembëm diktaturën më të egër në Shqipëri, ne jemi ata që u përballëm me mjerimin më të madh njerëzor dhe fituam, ne jemi ata të cilët hodhëm në Shqipëri themelet e tregut dhe të demokracisë, ne jemi ata që shembëm murin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ne jemi ata që anëtarësuam Shqipërinë në Këshillin e Evropës, ne jemi ata  që firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit  dhe po ecim drejt statusit të kandidatit, ne jemi ata që shndërruan në realitet projektin ëndërr të Shqipërisë dhe shqiptarëve; Shqipëria në NATO”, tha më tej Berisha.
Duke u përqendruar te anëtarësimi në NATO, Berisha vlerësoi se NATO është faktuar si mburojë e lirisë së kombeve të qytetëruara. “Sot, ne mblidhemi këtu, natyrisht, për të bërë analizën e punë sonë, por mblidhemi gjithashtu për të përcaktuar vizionin tonë për Durrësin e katër viteve që vijnë, Durrësin, anëtare të NATO-s, Shqipërinë anëtare të NATO-s”.

Edhe dega e Partisë Demokratike Durrës zgjedh strukturat e reja drejtuese

Igli Cara do të drejtojë degën vendore të PD-së

TIRANE - Me praninë edhe të kryeministrit Sali Berisha, Kuvendit i 9-të i Partisë Demokratike dega Durrës, ka zgjedhur strukturat e reja drejtuese.
Të pranishmit, bënë analizën e punës së degës së PD-së gjatë këtyre katër viteve dhe theksuan nevojën e intensifikimit të punës nga ana e strukturave të PD-së, me rastin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Pas votimeve për kreun e PD-së, rezultoi fitues Igli Cara, me 304 vota, kundrejt 181 të rivalit Genc Juka, aktualisht deputet. Në këtë mënyrë, Igli Cara mandatohet të drejtojë degën e PD-së së Durrësit, në një moment tepër të rëndësishëm për këtë forcë politike, por edhe për vendin, zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›