“Edvin Rama kërkon të bëjë pis integrimin e Shqipërisë në emër të politikës së re”
Nga Lezha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, akuzon kreun e opozitës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, që nga Lezha, ku ka vijuar takimin e saj “NATO, ne ja dolëm”, ka akuzuar dje kreun e opozitës se në emër të politikës së re kërkon të bëjë pis anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e ardhshëm elektoral. Kryeparlamentarja theksoi se ndër gjithë akuzat që rëndojnë mbi kreun socialist për korrupsion, korrupsioni më i madh politik i kryetarit socialist është mos përshëndetja e miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të paketës së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Ndjej keqardhje të madhe sepse mos përshëndetja e Edvin Ramës, ndaj miratimit në Kuvend, të miratimit paketës së anëtarësimit është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë”, u shpreh Topalli.
Duke vijuar më tej me përpjekjet e kryesocialistit për të zbehur suksesin e arritur nga qeveria me anëtarësimin e plotë në NOTO, kryetarja e Kuvendit u shpreh se “për të fshehur këtë korrupsion lakuriq që bën xhiro në Shqipëri ai ka gjetur metodë shumë interesante si taktikë”.
“Ai gjatë gjithë kësaj periudhe kërkon të bëjë pis çdo ngjarje të madhe integrimi me mesazhe, me zëdhënësa, me deputetët e tij në parlament, çdo ditë, çdo orë, çdo minutë ai ka kërkuar që të bëjë pis ngjarjet e mëdha të integrimit sukseset e mëdha të ndërtimit, arritjet e jashtëzakonshme, transformuese, marramendëse të Shqipërisë”.
Duke iu referuar karrierës politike të liderit të opozitës, kryetarja e Kuvendit tha se karriera e tij është ndërtuar në tri shtylla, një karrierë e ndërtuar mbi korrupsionin politik. “Ju të gjithë e kujtoni, kur ai bëhej aleat me Ilir Metën kundër Fatos Nanos, kur bëhej aleat me Fatos Nanon, kundër Ilir Metës, dhe kur bëhej me Sali Berishën kundër Nanos dhe Metës. Dhe ky është një korrupsion i rëndë politik. Shtylla e dytë e karrierës së tij është korrupsioni mediatik ku nëpërmjet mesazheve drejtuar gazetarëve, Edi Rama i detyron ata që të lexojnë vetëm mesazhet që ai i shkruan për veten e tij. Nuk ka gazetarë që të guxojë t’i bëjë pyetje atij. Dhe ky është korrupsion. S’ka deputet të guxojë të dalë në ekranet e televizioneve, pa marrë lejen e Edi Ramës dhe kjo është e rëndë. Shtylla e tretë e korrupsionit janë lejet e ndërtimit. Kush nuk e di se Edi Rama nuk ka bërë planin urbanistik të Tiranës. Kush nuk e di se cilat firma ndërtimi duhet të fitojnë që të ndërtojnë në Tiranë Kush nuk i di përqindjet që zotëria merr për lejet e ndërtimit. Kush nuk e di se cilat studio e urbanistikës është e përcaktuar që të fitojë lejet e ndërtimit në Tiranë. Kush nuk e di se gjysma e anëtarëve të Komitetit drejtues të PS kanë bashkëshorten ose bashkëshortin me firma të fuqishme ndërtimi”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit.