Platini i ka fajet
Të martën në Stamboll të Turqisë ka nis mbledhja dyditore e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në këtë mbledhje është paraparë që ky organ ta nxjerrë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.
Por, krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nuk kanë ndonjë informacion nëse evropianët, në ditën e parë të mbledhjes së tyre, ta kenë nxjerrë apo jo ndonjë rekomandim të atillë për FIFA-n.
Udhëheqësit e futbollit kosovar besojnë se çështja e ngritur nga ta do të diskutohet të mërkurën, në ditën e dytë të punimeve, në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Mirëpo, ata druajnë se as kësaj here Komiteti Ekzekutiv i shtëpisë së futbollit evropian nuk do t’ia dalë ta nxjerrë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo Kosovën dhe klubet e saj të zhvillojnë miqësore ndërkombëtare.
Në fakt, një rekomandim të tillë UEFA ishte paraparë t’ia jepte FIFA-s para disa muajve, por nuk e pati bërë një gjë të tillë me arsyetimin se kishte kërkuar një mendim këshillëdhënës nga Zyra Ligjore e saj.
UEFA prej kohësh është duke e zvarritur këtë çështje, e cila tashmë i ka nervozuar shumë udhëheqësit e futbollit kosovar. E për këtë zvarritje të tepruar, ata fajin kryesor ia hedhin presidentit të UEFA-s, Michael Platini.
“Faji më i madh i takon Platinis, pasi ai i prin UEFA-s, e cila po e neglizhon shumë këtë çështje. Në këtë mënyrë, UEFA nuk po e aprovon një kërkesë shumë të drejtë dhe legjitime nga ana jonë, që të lejohemi të luajmë ndeshje futbolli”, ka deklaruar për Express nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Ai kritikoi njeriun e parë të futbollit evropian, për të cilin tha se po i shkel të drejtat elementare të kosovarëve për t’ua bërë qejfin ‘miqve’ të tij, të cilët e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës – serbëve dhe rusëve.
“Ai ka interesa të ngushta me ata që po e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës; me serbë, rusë dhe ata nga vende të ish Bashkimit Sovjetik. Me votat e tyre, Platini ka fituar mandat në krye të UEFA-s”, u shpreh Ademi.
Madje, Ademi nuk e fsheh dyshimin e tij që Platini t’u ketë kërkuar vota kundërshtarëve të shtetit të Kosovës, duke u premtuar atyre se në kompensim të votave të tyre si president i UEFA-s do ta anashkalojë Kosovën.
Por, njeriu i dytë i futbollit kosovar nëpërmjet Express-it ia bëri me dije Platinis se në të ardhmen të mos llogaritë në vota të Kosovës, kur kjo do të bëhet pjesë e UEFA-s e FIFA-s.
“Kosova do të shënojë progres dhe ne një ditë, jo fort larg, do të anëtarësohemi në FIFA e UEFA. Por, ata që e kanë anashkaluar Kosovën që prej 17 shkurtit të vitit 2008, ata që ua kanë mohuar të drejtën të rinjve, fëmijëve kosovarë për të luajtur futboll – ata nuk do të kenë miqësi me Kosovën. Për këtë garantoj sepse po na i shkelin të drejtat tona humane”, vazhdoi Ademi i mllefosur.
Ai sërish ua bëri me dije FIFA-s e UEFA-s se FFK-ja shumë seriozisht është duke e shqyrtuar mundësinë që të drejtën e saj, të cilën po ia shkelin këto dy organizata, ta kërkojë nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.