E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini, letër Berishës: Ndërhyni për stadiumin!

TIRANE- Ngërçi i krijuar mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtorisë së stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", ka çuar në ndërhyrjen e vetë presidentit të UEFA-s Mishel Platini. Numri 1 i futbollit europian i ka dërguar një letër Kryeministrit të vendit Sali Berisha ditët e fundit, ku i kërkon të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi dhe t'ia japë FSHF-së stadiumin, e cila të ketë mundësi të investojë. “Gazeta Shqiptare” shkruan sot se nga burime zyrtare të Federatës është konfirmuar se letra ka qenë më shumë standarte, por me një domethënie të veçantë, duke parë se në impiantin më të madh të vendit nuk po zhvillohet më asnjë ndeshje. "Platini ka kërkuar ndërhyrjen e Kryeministrit Berisha, në mënyrë që të bashkohet me ne për zgjidhjen e këtij problemi. Platini shkruan se UEFA është e hapur për bashkëpunim dhe për investime, sepse dëshiron që futbolli në Shqipëri të ecë përpara", ka thënë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së Eduard Prodani, citon GSH. Tashmë pritet një reagim i kreut të qeverisë, i cili mund të zgjidhë ngërçin mes palëve dhe të rikthejë futbollin e madh në kryeqytet. Në vizitën e fundit në Shqipëri 2 vjet më parë, Platini premtoi një investim prej 5 milionë eurosh nga UEFA për rikonstruksionin e stadiumit "Qemal Stafa", i cili edhe pse është i licencuar për ndeshje ndërkombëtare, nuk plotëson thuajse asnjë kusht, por lejohet thjesht për mëshirë ndaj tifozëve shqiptarë.
Konflikti
Konflikti mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe stadiumit "Qemal Stafa" është i vjetër tashmë. Problemet e para nisën për kuotën që duhet të paguante FSHF për ndeshjet që luante brenda ekipi kombëtar, ç'ka bëri që disa ndeshje të kombëtares të zhvendoseshin në Shkodër. Kohët e fundit, konflikti është shtrirë në një rrafsh tjetër, në atë të mënyrës së menaxhimit, duke parë edhe amortizimin e madh të stadiumit dhe kushtet aspak të favorshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. FSHF kërkon një mënyrë që të investohet në stadium, qoftë edhe duke i dhënë ajo paratë, por me kusht që kombëtarja të luajë falas dhe menaxhimi të bëhet prej saj.
(Altin Latifi/ GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›