Pukë, maskat grabisin e dhunojnë dy familje
PUKË-Tre persona të maskuar e të armatosur kanë grabitur e më pas keqtrajtuar fizikisht anëtarët e dy familjeve në fshatin Lumzi të komunës Rrape. Ngjarja ndodhi
mesnatën e së premtes, kur maskat, duke hasur në rezistencën e familjarëve i kanë dhunuar fizikisht e më pas janë larguar në drejtim të paditur. Të dëmtuarit përfunduan në spital, njëri prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve zyrtare të policisë, nga vjedhja e dhunshme mbetën të plagosur Zef Frroku
51-vjeç, djali i tij, Besniku 19-vjeç dhe Zef Prenga 47-vjeç, një i afërm i familjes. Ndërkohë në banesën tjetër, ku hynë grabitësit, lanë të dëmtuar Pal Lulin, 61-vjeç dhe Anton Lulin, djalin e tij, 19 vjeç. “Autorët janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është i afërm i familjes Frroku”,- thanë dje burimet policore.
Grabitja
Sipas të dhënave paraprake të siguruara nga grupi hetimor, tre autorët kanë qenë të armatosur dhe me maska. Synimi i parë mësohet se ka qenë banesa e familjes Frroku dhe marrja e parave. Një prej grabitësve, sipas policisë është i afërm i kësaj familjeje, por rastësisht ka për atësi të njëjtin emër me atë të të plagosurit. Sipas dëshmisë së të dëmtuarve, ata kanë hyrë në banesë në mesnatë dhe kanë kërkuar paratë. “Në këtë familje janë marrë 600 euro dhe një celular”- thonë burimet policore, duke shtuar se meshkujt e familjes kanë kundërshtuar dhe për këtë janë dhunuar fizikisht. Sipas tyre, ata janë goditur me qytat e armëve dhe janë dhunuar fizikisht, duke pësuar dëmtime të konsiderueshme. “Kryefamiljari, Frroku është në gjendje të rëndë për jetën, në spital”,- thotë burimet. Pas kësaj, grabitësit i janë drejtuar një tjetër banese, që ndodhet në një largësi rreth 600 m nga e para. Sipas policisë, mbështetur në dëshmitë e familjarëve, ata kanë kërkuar para, por nuk kanë gjetur gjë. “Në familjen Luli kanë marrë vetëm një celular dhe kanë dhunuar dy meshkujt e familjes”,- thonë burimet policore.
Dyshimet
Nuk ka ende një pistë të qartë të ngjarjes, por sipas policisë dyshohet se grabitja në banesën e parë ka qenë për një borxh të pakthyer. Nisur nga deklarimet që kanë marrë prej të dëmtuarve, mësohet se njëri prej grabitësve të maskuar ka thënë “Dua paratë e mia”. Kjo ka bërë që policia të ngrejë dyshimin dhe pistën e ndonjë borxhi të mundshëm , në formë parash apo si këmbim të ndonjë shpërblimi për ndonjë punë të kryer, por familjarët nuk kanë dhënë shumë detaje për këtë gjë. “Autorët janë identifikuar dhe për kapjen e tyre kanë nisur kërkimet. Dyshohet se ata i janë drejtuar një zone tepër të thellë malore dhe janë 2.5 orë larg rrugës deri ku mund të shkohet me automjet”,- thonë burimet. Ndërkaq, materialet i kanë kaluar prokurorisë së Pukës për vjedhje me armë në bashkëpunim, torturë, dhunim banese dhe armëmbajtje pa leje. Grabitjet me armë, kryesisht në akse rrugore por dhe në banesa kanë qenë të njohura për zonën e Pukës, ndonëse vitet e fundit numri i tyre ka pësuar rënie të konsiderueshme.