Këshilli i Baseneve pa rroga, rebelohen anëtarët
ELBASAN-Anëtaret e Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Shkumbin e Devoll prej dy vjetësh nuk marrin rrogat nga Ministria e Mjedisit. Në mbledhjen e radhës, anëtarët eKëshillit të Basenit kanë deklaruar pakënaqësitë e tyre, ndërsa duhet të diskutonin mbi miratimin e kërkesave për përdorimin e rezervave ujore për prodhimin e energjisë. Prefekti Rezart Kovaçi, njëherësh dhe kryetar i këtij këshilli u shpreh se megjithëse ka bërë disa ankesa me shkrim pranë Këshillit Kombëtar të Ujit deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje për këtë çështje. “Kjo është një situatë e patolerueshme dhe rrezikon mosfunksionimin e këtij këshilli”- kanë thënë anëtarët e tjerë, duke shprehur hapur pakënaqësinë. Një prej anëtarëve, Adi Madhi, deklaroi se ata persona që kanë abuzuar me fondet, të cilat janë të destinuar për pagat e anëtarëve të këshillit duhet të vihen para përgjegjësisë ligjore. Shumica e anëtarëve kanë deklaruar se do të japin dorëheqjen nga ky këshill në rast se kjo situatë nuk zgjidhet. “Askush nuk duhet të abuzojë me faktin se ky këshill mblidhet edhe pa marrë pagat për t’i ardhur në ndihme zhvillimit të rajonit dhe bizneseve që marrin leje nga ky organ”,- tha Ardian Turku, një nga anëtarët. Sipas tij, situata e krijuar është e pa tolerueshme. Në fund të takimit u vendos që një grup anëtaresh tëzhvillojnë një takim me ministrin e Mjedisit, Lefter Xhuveli, ku do të diskutohet rreth problemit të fondeve për pagat e anëtarëve të Këshillit të Basenit Ujëmbledhës Shkumbin.