E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj grave, mbi 220 raste vitin e shkuar

 

SHKODËR-Numri i femrave të dhunuara po shënon rritje nga viti në vit në qarkun e Shkodrës, tashmë edhe brenda në qytet. Shifrat bëhen publike nga shoqatat në mbrojtje të grave, që marrin në konsideratë edhe dhunën psikologjike dhe jo vetëm atë fizike, që është e dukshme. Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë së Shkodrës, pranojnë faktin e shtimit të dhunës, por deklarojnë se ata ndjekin denoncimet e bëra për dhunë fizike apo kanosje. “Për lloje të tjera të dhunës, si ajo psikologjike, nuk ka denoncime”,- thonë burimet policore, që bëjnë me dije se vetëm gjatë këtij viti janë të regjistruar 14 denoncime të grave të dhunuara.

***

Gjeografia e rasteve të denoncuara përfshin lagje të qytetit si “Fahri Ramadani”, “Partizani”, “Tre Herojtë” etj, apo dhe fshatra si Golemi, Bardhaj, Oblikë, Gruemirë etj. Specialistet e qendrave në mbrojtje të grave pranojnë se ndonëse ligji kundër dhunës ndaj grave ka një vit që është miratuar, ai nuk po gjen zbatim. Për këtë, sipas tyre, kanë pjesën e madhe të heshtjes edhe vetë gratë. “Ligji vepron në ato raste kur janë bërë denoncime në polici e prokurori dhe gjykata merr vendim për mbrojtjen e tyre, ndërsa ka me shumë raste të tjera kur viktimat e llojeve të ndryshme të dhunës nuk denoncojnë dhe nuk kërkojnë mbrojtje”,- thotë një nga drejtueset e qendrave.

***

Duke u mbështetur në shifrat e raportuara, viti i shkuar u mbyll me 222 raste dhune të raportuara përmes kontakteve të drejtpërdrejta me gra të dhunuara, nga 186 të tilla në vitin 2006. shifrat dëshmojnë qartë për rastet në shtim. Ndërsa përmes linjës telefonike janë 269 raste dhune të raportuar ku dhuna emocionale dhe ajo fizike janë më të përhapurat. Ndërsa në Malësinë e Madhe, në Koplik, Bajzë e Vrakë, kanë kërkuar ndihmë 500 raste femrash të dhunuara në vitin 2007; 443 më 2006; 393 më 2005 dhe 326 në vitin 2004. Nuk mungojnë rastet e abuzimeve nga individë të ndryshëm, që mentaliteti dhe kultura që kanë nuk i lejojnë të kuptojnë se dhuna ndaj grave është akt i dënueshëm, por mendojnë dhe shprehen se janë vetë gratë ato që shkaktojnë dhunën ndaj tyre. Në qendra sipas psikologëve ka raste të tilla.

***

Dhuna ndaj grave në Shkodër është shfaqur dhe në format më ekstreme të saj, në vrasje. Në harkun kohor të viteve 2002 deri në prill 2008, janë 24 gra të vrara. Sipas statistikavemë 2002 u shënuan 8 gra të vrara; më 2003, 2004 dhe 2005 kemi nga tre gra të vrara në secilin vit; më 2006 një grua viktimë; vitin e shkuar 4 gra të vrara dhe nga fillimi i këtij viti kemi 2 gra të vrara. Vrasjet e grave kanë ndodhur si brenda familjes, nga bashkëshortët, vëllezërit, fëmijët, por dhe nga persona të tjerë që nuk kanë ngurruar të drejtojnë pushkën ndaj grave për hakmarrje. Një tjetër fakt, është dhe ai i ngujimit të grave, dhe pse kjo nuk lejohet në kanun. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, në qarkun e Shkodrës janë aktualisht 57 fëmijë të ngujuar të moshës së arsimit të detyruar, pra 6- 15 vjeç, që janë të ngujuar dhe nga këto 22 janë vajza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›