Plazhi i Durrësit; Gjashtëfishohet orari i furnizimit me ujë të pijshëm
Sezoni veror 2009 ka disa javë që ka nisur dhe duket se edhe pushuesit qysh ditët e para shprehen të kënaqur me kushtet higjeno-sanitare, por edhe me infrastrukturën e cila sipas tyre “nuk dallon shumë nga ajo e vendeve fqinje”. Kështu, plazhi i Durrësit këtë vit ka ujë me bollëk, kjo falë një organizimi perfekt të Ujësjellësit dhe organeve të qeverisjes vendore si bashkisë dhe prefekturës. Ky sezon ka rritur në 5-fish numrin e turistëve të huaj dhe vendas, por mbi të gjitha ata kanë kushte fantastike, ujë të pijshëm mbi 12 orë në ditë, si dhe kushte të tjera bashkëkohore higjeno-sanitare. Lidhur me pararojën e zgjidhjes së problemeve që ka sot turizmi në qytetin bregdetar, drejtuesit e bashkisë, përkatësisht Vangjush Dako dhe prefekti i qarkut, Klodian Pajuni, deklaruan për "standard" se "deri vjet kishte vetëm dy orë ujë në ditë për plazhin, kurse ky sezon shënon furnizimin me bollëk me ujë, kjo pasi shumë shpejt ne vendosëm në funksionim të ujësjellësit linja të reja dhe organizuam strukturat drejtuese, duke mundur që gjithçka të ndryshojë". Kjo situatë ishte perspektiva e sezonit turistik 2009, e thënë ndryshe, u rritën litrat me ujë më tepër se ajo e vitit të kaluar, duke mos u rrezikuar edhe zona fundore e plazhit si dhe pjesa e bregdetit e cila zë fill te Shtëpia e Pushimit e Ministrisë së Brendshme e që mbërrin te Shkëmbi i Kavajës. Edhe kjo zonë është në mbulimin e Ujësjellësit të Durrësit. Vitin që shkoi te Shkëmbi i Kavajës uji shkonte një herë në javë, kurse sot atje uji ndërpritet vetëm disa orë paradite. E vetmja zgjidhje për përmirësimin e furnizimit të kësaj zone ishte zbatimi i marrëveshjes me Ujësjellësin (por shumë shpejt edhe me ujësjellësin e Manskurisë i ndërtuar pak kohë më parë). Sipas kësaj marrëveshjeje, ky ujësjellës ka marrë përsipër të furnizojë edhe këtë pjesë të bregdetit krahas Golemit dhe Kavajës. Pushuesit nga Shqipëria e Kosova, por edhe vende të tjera të rajonit, shprehen të kënaqur nga kushtet e krijuara këtë sezon, si me ujin e pijshëm, dritat dhe me higjenën. Gjatë këtij viti është realizuar një investim i rëndësishëm për rritjen e sasisë së ujit që vjen në Durrës nga burimet e Fushë-Kuqes. Sipas punonjësve të Ujësjellësit: “I është kushtuar kujdes instalimeve të stacioneve të komandimit të ujit nëpër fshatra në mënyrë që ai të menaxhohet më mirë e të mos vidhet nga ndërhyrjet pa leje në rrjet”. Drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Agron Islami, tha për “standard” se “në rrjetin e plazhit dhe në Durrës vazhdon e njëjta prurje si ajo e vitit të kaluar, pra në 24 orë në Durrës mbërrijnë 40 mijë metra kub ujë, kjo sasi gjatë sezonit turistik po ndahet 30 mijë m3 për qytetin dhe 10 mijë metra kub për zonën e plazhit, pra afërsisht si Durrësi ashtu dhe plazhi do të furnizohen me nga 12 orë ujë në ditë”. Situatë disi e vështirë, por jo pa zgjidhje parashikohet të jetë në pjesën fundore të plazhit si dhe në vijën bregdetare nga konvaleshencat deri te derdhja e Përroit të Agait e cila njihet si Plazhi i Shkëmbit të Kavajës”. Drejtuesit e Ujësjellësit shprehen të sigurt se me investimet e pritshme gjatë vjeshtës 2008 dhe tremujorit të parë 2009, situata pësoi një tjetër përmirësim të kënaqshëm, duke synuar furnizimin me ujë 24 orë pa ndërprerje të zonave bregdetare të Durrësit, kryesisht të plazhit publik.