E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama le të bojkotojë, shqiptarët do të votojnë”



Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje në Divjakë përpjekjen e qëllimshme të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të bojkotuar zgjedhjet bashkë me koalicionin e tij. Por ai vuri në dukje se shqiptarët do të votojnë të lirë pavarësisht vendimit të Ramës për bojkot. Z. Berisha u bëri të qartë banorëve divjakas se duhet të vazhdojnë rrugën e nisur, për të votuar si qytetarë të denjë të një vendi anëtar të NATO-s. Sipas Berishës, shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë vitin 1992, lavdinë e tyre elektorale. “Por, një njeri, i cili duket se nuk e ka as gramin e fundit të moralit politik dhe njerëzor do të bojkotojë zgjedhjet. Ky është Edi Rama. Edi Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit. Unë dua t’i them këtu para jush se ne do të votojmë në të drejtën tonë, do të votojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, do të votojmë të lirë, do të votojmë me maturi politike. Por, në qofte se ti vendos që për karrigen të bojkotosh zgjedhjet, koshi i plehrave të historisë të pret, se ne do të fitojmë”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri iu drejtua atij: “Ti, Edi Rama, tregon se ke mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit, ke mbetur në labirintet e atyre për të cilët vota ishte plumb për armikun. Ty, Edi Rama, të ka mbetur ora tek baballarët e tu. Por, unë të them edhe një herë këtu që mos i llogarit hesapet gabim, sepse me ty dhe pa ty shqiptarët do t’i bëjnë zgjedhjet, sepse me ty dhe pa ty do të bëjmë zgjedhjet më të mira, sepse me ty dhe pa ty do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Merr çdo vendim”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›