Londër; Dy shqiptarë akuzohen si vrasës me pagesë, vranë biznesmenin qipriot
Dy shqiptarë akuzohen për vrasjen e një personi nëntë vite më parë, pas kërkesës së djalit të një milioneri grek. Sipas prokurorëve në Londër, dy shqiptarët dyshohen se janë vrasës me pagesë dhe kanë zbatuar kërkesën e një 36-vjeçari për vrasjen e Charalambos Christodoulides. Në bankën e të akuzuarve janë Robert Baxhija dhe Ylli Xhelo, të dy nga 36 vjeç. Kjo vrasje ishte kërkuar, pasi viktima 57-vjeçar nuk dilte nga shtëpia luksoze me vlerë dy milionë paund, pronë e të atit të të akuzuarit të tretë, ndërsa këta të fundit po synonin ta shisnin atë. Sipas prokurorëve të çështjes, dy shqiptarët janë futur në shtëpi, e kanë lidhur viktimën në një karrige dhe më pas e kanë torturuar atë. Pas kësaj, ata i kanë lidhur një dru nga pas dhe e kanë mbytur 57-vjeçarin qipriot. Para dhjetë viteve, 36-vjeçari i akuzuar Papalexis, i kishte hyrë biznesit të ndërtimit. Duket se gjërat nuk po ecnin mirë për të dhe atij i duheshin para për të vazhduar investimin. Nëse prona do të shitej, ai do të përfitonte një shumë të mirë parash. Por, 57-vjeçari, i cili kishte marrë me qira një pjesë të saj, nuk kishte ndërmend të dilte. Pas disa kërkesave, u pa se e vetmja mënyrë ishte ndërhyrja e shqiptarëve. Pak më vonë, Christodoulides u gjet i vdekur në një garazh afër zonës, ndërsa më pas shtëpia u shit. Por, duket se policia ra në gjurmë të vrasjes, pas deklaratave të bëra nga një prostitutë, e cila kishte kryer denoncimin. 36-vjeçari që akuzohet se kishte kërkuar vrasjen, ishte shpërngulur në Florida. Ndërkohë që dy shqiptarët ishin dëbuar nga Britania. Atyre iu vunë prangat, ndërsa u rikthyen aty. Në deklaratat e bëra ata shprehen se nuk kanë lidhje me vrasjen. Por, sipas prokurorëve, janë gjetur gjurmët e gishtave të tyre në trupin e viktimës.