E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhi i Semanit do të "lahet" në qershor

Bunkerët përgjatë brigjeve të lumit Seman do të nisin të shkatërrohen me fillimin e qershorit. Por, përveç largimit të këtyre simboleve të diktaturës, një rrezik i madh ngrihet për ndotjen e lumit nga këto inerte, në njërin nga muajt e frekuentuar të sezonit turistik. Ka qenë Prefekti i Qarkut, Fier, Shahin Bejdaj, ai që ka dhënë lajmin për fierakët, pas shumë tratativash me Ministrinë e Mbrojtjes. "Brenda javës së parë të muajit qershor, do të nisë puna për largimin e bunkerëve nga bregdeti i Semanit, të montuara gjatë kohës së sistemit komunist", tha për gazetën "Shqip" prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj. Ai theksoi se kjo arritje ka ardhur pas disa takimesh dhe bisedimesh me Ministrinë e Mbrojtjes nga e cila ka marrë premtimin për çmontimin e bunkerëve, nga zona e plazhit.

"Pavarësisht kostos së lartë dhe vështirësive, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur çmontimin e bunkerëve nga bregdeti i Semanit, pasi prania e tyre në zonën e rërës dhe në brendësi të ujit është një pengesë për pushuesit. Vendimi është konfirmuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë", tha Bejdaj.

Shkatërrimi i bunkerëve mësohet se fillimisht do të nisë me ata që janë në ujë për të vijuar më pas me të tjerët që gjenden në rërë. Bregdeti i Semanit njihet si një nga më të ndoturit në vend, nga industria e naftës. Tashmë, atij i duhet të përballet edhe me ndotjen nga inertet e bunkerëve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›