E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romet, vjedhin të zotin e shtëpisë me fall

Burri i ftoi gratë në shtëpi pasi ato i kërkuan ndonjë send për t'ua falur ndërsa më pas i kërkuan para për fallin


I dëmtuari iu pohoi punonjësve të policisë se gratë rome i vodhën paratë duke e mashtruar


TIRANE- Dy gra rome fallxhore, mashtrojnë një burrë në lagjen Kombinat të kryeqytetit, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash.


Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, në Rrugën e ish- fabrikës së Qelqit, kur dy gra rome pasi kishin trokitur në disa dyer në këtë lagje, hynë në banesën ku banonte Faik Gjonaj.


Pas trokitjes së derës, Gjonaj, ka vënë re se pas saj qëndronin dy gra, jo shumë të thyera në moshë se sa të lodhura nga jeta. "A mund të na japësh ndonjë send,- mësohet se i janë drejtuar gratë burrit, i cili dukej sikur e kishte pritur trokitjen e tyre.


Nuk zgjati shumë sekonda qëndrimi i grave në prag, kur ato ia krisën bisedës me të zotin e shtëpisë që ishte përballë tyre. Në pak sekonda ato u futën në shtëpinë e tij, duke thelluar edhe më tej bisedën mes tyre.


Pas më tepër se gjysmë orë bisede dy gratë i kërkuan burrit t'i hidhnin një fall dhe t'i shikonin fatin atij nëpërmjet dorës. Në këmbim të kësaj kërkese, gratë nisin t'i merrnin pak nga pak burrit paratë që kishte me vete dhe paratë që kishte në shtëpi.


Në krye të rreth 40 minutave, ato sipas burimeve të policisë, i kishin marrë atij një sasi prej rreth 30 mijë lekësh të reja. Në pak minuta edhe vetë Gjonaj, nuk po orientohej se si të vepronte, ndërsa gratë rome i kishin fshirë nga sytë atij jo pak para.


Pas jo më tepër se 5 minuta të zgjatjes së fallit, gratë kërkuan të largoheshin, ndërsa edhe vetë Gjonaj, duket se pranoi që ato të largoheshin bashkë me paratë e tij.


Kur ai u kthye në shtëpi, i vetëm u kujtua se gratë i kishin bërë tym atij paratë, ndërsa tashmë nuk dinte ku t'i gjente. I bërë vrer nga ngjarja aspak e këndshme, i dëmtuari lajmëroi policinë e kryeqyetit, duke iu telefonuar, ku edhe iu sqaroi ngjarjen.


Menjëherë pas kësaj telefonate fillimisht një patrullë e policisë së kombinatit mori kontakt me të dëmtuarin, ndërsa më pas një specialist i hetimit të krimeve mbërriti aty. I dëmtuari iu shpjegoi situatën dhe vjedhjen e parave nga dy gratë rome. "Thanë se do më hidhnin fall.- mësohet t'iu ketë pohuar i dëmtuari oficerëve të policisë.


Ndërkaq këta të fundit pas marrjes së të dhënave dhe përshkrimit të dhënë nga i dëmtuari nisën kontrollet në zonë për të gjetur mashtrueset, të cilat ishin zhdukur tashmë me kohë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›