E Hënë, 2 Nëntor 2026

Plenumi i IX, Ramiz Alia refuzon pluralizmin

21/04/2005  A mund të bëhej fjalë për izolimin e Shqipërisë pas vdekjes së Enverit? Cilat ishin veprimtaritë politikë ku merrte pjesë vendi ynë në Lindje dhe Perëndim? Si ishte ky bashkëpunim? Cilat ishin tezat e para për kthesën politike të Shqipërisë? Cilat ishin vendimet që mori këshilli i ministrave në vitin 1987?

Cilat ishin ndryshimet administrative që u bënë nga Ramiz Alia? Kur u mbajt plenumi i IX dhe a e pranoi Alia pluralizmin në Shqipëri?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot. Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Përfaqësuesit e Shqipërisë morën pjesë në takimin e zëvendësministrave të jashtëm në Sofje, në konferencën e ministrave të transportit të shteteve balkanike, në takime shkencëtarësh, personalitetesh të kulturës të vendeve të rajonit e veprimtari të tjera. Në janar të vitit 1989, u mbajt në Tiranë takimi i zëvendësministrave të punëve të jashtme të vendeve ballkanike, ndërsa në mars ministrat e ekonomisë dhe të tregëtisë së jashtme u mblodhën në Ankara.

Kështu, formalisht, as që mund të bëhej fjalë për izolimin e Shqipërisë. Por ky bashkëpunim ishte cunguar dhe realizohej brenda kufijve të përcaktuar me rreptësi. Shoqëria shqiptare vazhdonte të ishte e mbyllur.

Instikti i vetëmbrojtjes prej dukurive të reja, që vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet socialiste të Europës Qendrore e Juglindore, rrinte zgjuar.

Në politikën e brendshme u shënuan lëvizje pozitive. Doli se tezat për kthesën në politikën e shtetit ndaj individit, që tingëllonin disi deklarative, kishin marrë përmbajtje konkrete. Në vitin 1987, këshilli i ministrave mori vendime shumë të rëndësishme: “Për stimulimin e rritjes së prodhimit me anë të rrogave”, “Për përdorimin me të drejtë të stimujve materialë shtesë dhe fondeve speciale”, “mbi kriteret e vlerësimit financiaro-ekonomik të veprimtarisë së ndërmarrjeve”. Qëllimi i këtyre vendimeve qe shfrytëzimi i burimeve financiare për nxitjen e veprimtarisë prodhuese të punonjësve, para së gjithash në degët me rëndësi të dorës së parë për ekonominë popullore. Prirje të njëjta filluan të shfaqeshin edhe në bujqësi, vetëm se më me ngadalë.

Në shkurt të vitit 1987, propoganda zyrtare shqiptare bënte thirrje të vazhdueshme për zhvillimin e “mendimit të ri progresiv dhe ideve të reja revolucionare”, që u kundërviheshin “shfaqjeve burokratike” dhe “ngurtësimit të mendimit”. Në aparatin administrativ e deri në një farë shkalle në parti, filloi procesi i rinimit të kuadrove.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të vititi 1987 për Kuvendin Popullor, përbërja e tij u përtëri gati në 32%, për më tepër, rreth gjysma e deputetëve, ishin nën 40 vjeç. Në dy vjetët që pasuan, këto procese zunë të bëheshin më dinamike.

Praktika e planifikimit, e zakonshme për kushtet e Shqipërisë, e cila i jepte zhvillimit të degëve të industrisë të grupit A, u la mënjanë gjatë miratimit të planeve për vitet 1989 e 1990. Ata u korrigjuan duke synuar nxitjen e industrisë që prodhonte mallra konsumi për popullin, e që garantonte qëndrueshmërinë e çmimeve për mallrat e nevojës së parë.

Që nga fundi i vitit 1989, në kooperativat bujqësore e ferma u fut sistemi i ri i pagesës për punën. U caktuan shtesa plotësuese për ditë pune për të gjithë prodhimin mbi plan, deri në masën 50%. Paga e drejtuesve të prodhimit dhe specialistëve përcaktohej në vatësi të rezultatit përfundimtar.

Në vitin 1989, sipas eksperimentit të radhës, nëntë kooperativa bujqësore fituan një pavarësi të madhe. Atyre u lejohej të nxirrnin në treg produktet e prodhuara mbi plan, me përjashtim të drithërave dhe kulturave teknike. Që nga viti 1990, forma të tilla nxitëse për prodhimin, u përhapën në të gjitha kooperativat bujqësore të vendit.

Me nismë nga lart, sistemi i organizimit të punës në ekonominë popullore, filloi të pastrohej shkallë –shkallë nga mbishtresat voluntariste jashtë-ekonomike, që zunë vend në vitet ’60-’70-të. Strukturat partiako-shtetërore mbetën të pandryshuara, por brenda kornizave të tyre dhe në kufij rreptësisht të përcaktuara, filloi të lejohej pavarësia ekonomike e “shtresave të ulta”, madje dhe kritika ndaj niveleve të dyta të administratës. Po bëhej në njëfarë mënyre përtëritja dhe përmirësimi i marrëdhënive socialiste.

Fjalët “reformë” dhe “shtërmbërim i socializmit” nuk qenë futur akoma në fjalorin politik të udhëheqësve shqiptarë, që e mendonin këtë terminologji si karakteristikë vetëm për revizionistët sovjetikë e Europianolindorë. Në Shqipëri vazhdonte akoma “revolucionarizimi i të gjitha anëve të jetës” i shpallur nga E. Hoxha.

Nxitje për korrigjimin e mëtejshëm e thelbësor të politikës së jashtme, e veçanërisht të politikës së brendshme të Shqipërisë, u bënë ngjarjet e stuhishme të vitit 1989 në Europën Qëndrore e Juglindore. Partitë komuniste në pushtet u përballën me të njëjtat probleme, më i rëndësishmi prej të cilëve, qe reformimi i sisitemit pa e lëshuar pushtetin. Kërkimet e ethshme të rrugëdaljeve nga kriza, në rastin më të mirë sollën heqjen dorë, dashje pa dashje, nga roli udhëheqës në kushtet e rishpërndarjes së funksioneve shtetërore midis të gjitha partive dhe lëvizjeve politike, ndërsa në më të keqin, humbjen e plotë të peshës dhe të autoritetit politik në vend e në shoqëri, përçarjen, madje, dhe vetshpërbërjen. Ndarja nga socializmi i kazermës u bë në mënyra të ndryshme. Shqipëria mori udhën e evolimit.

Viti i kthesës 1990

Era e ndryshimeve, që përshkoi në vitin 1990 vendet socialiste të Europës Qëndore e Juglindore, nuk arriti në Shqipëri. Të paktën kështu mund t’i dukej gjithkujt, që shfletonte gazetat shqiptare të kohës. Përmbyseshin diktatorë shumëvjeçarë, fluturonin koka, në kuptimin e drejtpërdrejt e figurativ të fjalës, binte muri i Berlinit, ndërsa në Tiranë gjithcka ishte e qetë. Në janar të vitit 1990, u mblodh plenumi i IX i KQ të PPSH-së, i cili bëri vlerësimin e ngjarjeve; popujt realizuan shpresat e tyre të hershme, duke përmbysur regjimet revizioniste, por këtë e shfrytëzuan forcat e djathta dhe borgjeza botërore që i mbështet; punonjësit, për fat të keq, morën anën e pushtetarëve të rinj, sepse sundimin e revizionizmit, prepotencën e strukturave burokratike dhe gjendjen e stanjacionit në këto vende e lidhën në mënyrë të gabuar me ideologjinë e marksizëm-leninizmit. Komunistët shqiptarë, thuhej në rezolutën e plenumit, kanë luftuar përherë me vetëdije, që populli ta kuptojë rrezikun e diskriminimit të socializmit, të ideologjisë e politikës revolucionare: “Ka ndodhur një tragjedi, ne e përjetojmë atë me dhimbje, por nuk biem në dëshpërim”.

Pyetjes për mundësinë e pranisë së pluralizmit partiak në Shqipëri, plenumi i dha përgjigje negative; “Ruajtja e rolit të udhëheqës të PPSH është kushti kryesor për vazhdimësinë e ndërtimit të socializmit në Shqipëri,m ndërsa krijimi i partive të reja politike “do të çonte në dobësimin e uniteitt kombëtar, në humbjen e pavarsisë dhe në shkatërrimin e socializmit”.

Gjendja ekonomike në vend vlerësohej si plotësisht e qëndrueshme. Mekanizmi ekonomik i krijuar në vend, siç thuhej në vendim, “garantoi përparimin e forcave prodhuese, hapi rrugën për krijimin dhe konsolidimin e strukturave shumëdegëshe, harmonizoi aspektet ekonomike e sociale dhe mbështeti zhvillimin e prirjeve progresive në vend”, i cili kishte hyrë në etapën e intensifikimit. Por pas këtyre frazave të përgjithshme, fshihej niveli praktikisht i ulët ijetës së popullit. Tre vitet e thatësirës kishin thelluar gjendjen e krizës në ekonomi. Vazhdonte racionimi i mishit, djathit,vajit etj. Në treg mund të gjeje vetëm qepë dhe kavanozë me konserva, me përmbajtje të dyshimtë. Shembulli i Shqipërisë është dhe një argument më shumë i dukurisë karakteristike përmodelin stalinist të komunizmit të kazermës, në të cilin respektimi i “pastërtisë” idelogjike shoqërohej besnikërisht me “pastërtinë” e banakëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›