E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pleqtë e vetmuar, gjahu i parë i korrupsionit

Lidhur me një artikull të botuar në një të përditshme ka reaguar Drejtoria e Shtëpisë së të Moshuarve Tiranë. Për sa u përket aktiviteteve që mbushin jetën sociale të moshuarve, kanë qenë nga më të larmishmet falë lidhjeve që kemi konsoliduar kompanitë AMC, “Vodafone”, kompleksi “Xhura”, IIRC, shkollat e mesme etj. Mbi të gjitha kemi pasur vëmendjen e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe Zonjës së Parë e deri te koncertet që kanë dhënë enkas për ne këngëtaret e muzikës popullore, Valbona Halili dhe Valbona Mema. Kemi zhvilluar ekskursione në Dajt, Fushë Krujë etj., dhe vetëm në muajin dhjetor janë zhvilluar rreth 20 aktivitete dhe të gjitha këto në kuadrin e përmirësimit të cilësisë së shërbimeve.

Problemi i dytë që përmendet në shkrim janë dhomat me kushte jashtë standardeve jetike.

Dhomat në të cilat janë akomoduar këta të moshuar janë mjaft të rregullta, të lyera, pa lagështi, me banjë brenda secilës dhomë me pajisje të mira hidro-sanitare. Këto dhoma janë dyshe, treshe, dhe vetëm një dhomë me pesë vetë dhe asnjëherë me gjashtë dhe shtatë persona.

Problem tjetër është pranimi i të moshuarve jashtë kritereve p.sh., të moshuar të verbër, sakatë etj. Sqarojmë se Shtëpia e të Moshuarve Tiranë është Institucion i Përkujdesit Shoqëror dhe si i tillë ofron shërbime për kategorinë e të moshuarve më në nevojë, pa përkrahje, si dhe me disa lloje të ndryshme mangësish dhe paaftësish që e legjitimizojnë të drejtën për të qenë përfitues. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë që në shtëpinë tonë të të moshuarve ka disa që janë jashtë kritereve, duke pasur një gjendje të mirë shëndetësore dhe fizike, pension të konsiderueshëm, familje dhe të gjitha këto i përjashtojnë nga grupi i të moshuarve në nevojë dhe për më tepër këta të moshuar kanë pretendime të mëdha dhe bëhen vetëm pengesë për mbarëvajtjen në institucion. Tenderi i ushqimeve funksionon brenda të gjitha rregullave, madje vazhdohet furnizimi me ushqime me çmimet e vjetra, ndërsa shumica e artikujve ushqimore kanë pësuar rritje çmimi. Shërbimi shëndetësor të jetë 24 orë dhe roja i natës të jetë infermier, është jashtë mundësive pasi është konceptuar në këtë mënyrë: institucioni ynë quhet Shtëpi të Moshuarish dhe jo spital apo qendër shëndetësore dhe organika nuk përmban infermier, por kujdestar social. Këta të moshuar janë si të gjithë të moshuarit e komunitetit, ndiqen rregullisht nga mjeku i lagjes dhe mjekët specialist sipas problematikave. Për nevojat emergjente jemi në gatishmëri ditën dhe natën e për raste të vështira dhe ndërhyrje të kushtueshme kemi siguruar mbështetjen nga donatorë të ndryshëm. Rasti më i fundit ka qenë financimi nga AMC i një proteze me vlerë 800 euro, për një të moshuar i cili pësoi frakture të rëndë të legenit.

Problemi i ngritur nga kjo e përditshme për gjendjen e keqe financiare të moshuarve dhe çeljen e një llogarie bankare nga ana e tij, nuk e konsideroj një problem, pasi të moshuarit në institucionin tonë përfitojnë shërbimin shëndetësor, ku të gjitha medikamentet e nevojshme financohen nga buxheti i shtetit dhe jo nga xhepi i të moshuarve, shërbimin e mensës, ku të gjitha vaktet jepen në institucion shërbimin e lavanterisë, veshmbathjet. Pensioni jepet çdo muaj ku gjysma kalon në llogari të shtetit dhe gjysma i jepet të moshuarit, kurse të moshuarit që nuk marrin pension nga Sigurimet Shoqërore, përfitojnë 4000 lekë të reja çdo muaj. Këto të ardhura janë më se të mjaftueshme për shpenzime vetjake. Kjo llogari bankare e hapur në emër të Shoqatës së të Moshuarve është thjesht një nismë personale e z. Baftjar Caushi, pasi nuk ka mbështetjen e pjesës tjetër të të moshuarve dhe mund të lërë vend për aludime, mbi mënyrën se si do të menaxhohen të ardhurat në rast se dikush do të kontribuojë. Shpresoj që të kem qenë transparent dhe i qartë në sqarimin e problemeve të ngritura dhe të kem mirëkuptimin tuaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›