E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglezet pedofilë, nën akuzë amerikani i klinikës

Prokuroria ende nuk ia ka komunikuar akuzën amerikanit Eshelman, por do ta bëjë kete gjatë javës së ardhshme. Hetimet ndaj klinikës ABC nisën fill pasi Eshelman pranoi në procesin penal ndaj Braun, se kishte dijeni për abuzimet që kryheshin me fëmijët, por nuk i kishte kallëzuar në polici 

TIRANE-Prokuroria e Tiranës vë nën akuzë shefin e klinikës ABC në Tiranë, amerikanin Guy Eshelman, i cili fshehu abuzimet seksuale që britaniku David Braun dhe dy miqtë e tij kryenin me të miturit e qendrës "Fëmijët e tij". Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të organit të akuzës, të cilat pohojnë se Eshelman do të përgjigjet për akuzën e "moskallëzimit të krimit". Në fakt, prokuroria ende nuk ia ka komunikuar akuzën amerikanit Eshelman, por një gjë të tillë do ta bëjë gjatë javës së ardhshme. Hetimet ndaj klinikës ABC nisën fill pasi Eshelman pranoi në gjykatë në procesin penal ndaj David Braun, se kishte dijeni për abuzimet që kryheshin me fëmijët, por nuk i kishte kallëzuar në polici, pasi nuk kishte besim të autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve prokuroria vërtetoi se klinika ABC kishte mashtruar me kartelat e të miturve, të cilët edhe pse ishin të abuzuar seksualisht, i nxirrte pa asnjë problem. Klinika ABC kishte firmosur dhe për impotencën e David Braun, në një kohë kur një gjë e tillë ishte hedhur poshtë nga dy ekzaminime të bëra nga mjekët shqiptarë. Në përfundim të hetimeve, prokuroria vendosi të ngrejë ndaj Eshelman akuzën e "moskallëzimit të krimit", për shkak se ka pasur dijeni që fëmijët abuzoheshin seksualisht dhe e ka fshehur një fakt të tillë. Klinika ABC gjendej vetëm pak metra larg qendrës "Fëmijët e tij". Skandali i pedofilisë në të cilin tashmë është përfshirë dhe klinika ABC, u zbulua tri vite më parë. Në pranga përfundoi administratori i qendrës "Fëmijët e tij", David Braun, për të cilin prokuroria ka kërkuar dënimin me 20 vjet burg dhe për pak ditë pritet që gjykata të japë vendimin ndaj britanikut. Për të njëjtën akuzë u arrestuan në Londër dy miqtë e Braun, Dino Kristodulos dhe Robin Arnold, të cilët më pas u ekstraduan drejt Shqipërisë. (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›