Plotësohen kushtet, dalin nga greva punëtorët e autostradës
Dalin nga greva e urisë shtatë punëtorët e urave në segmentin Kukës-Morinë, pas negocimit me palën maqedonase. Ka qenë Sokol Bela, drejtor i Inspektoratit të Punës në Kukës, i cili pasi është njohur me një prej kontratave të punëtorëve, si dhe me borderotë e pagave, ka negociuar me pronarët e firmës. Mësohet se ai ka komunikuar në telefon me drejtuesit e firmës "Granit" dhe ka marrë premtimin se kërkesat e grevistëve do të zgjidhen. Punëtorët kërkonin respektimin e pikave që ishin përcaktuar në kontratë: përfitimin e trajtimin ushqimor të përditshëm, veshjet e punës dhe pagë ditore më të lartë.